Kërkohet rritja e cilësisë së produkteve dhe eksportimi i tyre jashtë vendit

0
88

Kosova njihet për toka shumë të plleshme dhe të pakontaminuara, të përshtatshme për kultivim të produkteve të ndryshme ushqimore. Përkundër këtyre përparësive, Kosova nuk është duke prodhuar mjaftueshëm për tregun e brendshëm, e as nuk është duke eksportuar mjaftueshëm jashtë. Kështu u tha gjatë debatit “Ushqim dhe produkte më të sigurta”, që u mbajt të enjten në Gjilan, ku morën pjesë ekspertë të fushës e përfaqësues të shumtë të bizneseve.

Eksperti për tregti të lirë, Naim Huruglica, tha se Kosova nuk qëndron mirë në eksport, meqenëse raporti eksport – import mbetet me një diferencë jashtëzakonisht të madhe. “Në vitin 2018, Kosova ka importuar mbi 700 milionë euro ushqime. Një pjesë prej tyre mund t’i prodhojmë madje edhe t’i eksportojmë. Nuk është pyetja që nuk dimë, apo nuk mundemi, vetëm është qasja se si ta shfrytëzojmë potencialin që e kemi, ligjet që i kemi, mundësitë që na ofrojnë donatorët e huaj, pasi edhe kjo që po e bëjmë sot është një ndihmë, është një lloj shkëmbimi i informatave me ju që të kemi sa më shumë informata se çfarë mund të bëjmë”, tha ai.

 

Vitomir Fister, udhëheqës ekipi në projektin e BE-së “Mbështetje lëvizjes së lirë të mallrave”, tha se në kuadër të këtij projekti, prioritet kanë cilësia dhe siguria e produkteve. “Projekti ynë është themeluar me qëllim që të ju ndihmojë të siguroni një infrastrukturë dhe të zhvilloni bizneset tuaja private. Ne jemi këtu që ta ndihmojmë ekonominë tuaj. Ne punojmë në përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës… Ju duhet të pyesni veten se cilat janë ato obligime që duhet të plotësohen, këto do të ju tregojnë rregulloret teknike, jo standardet. Por, rregulloret teknike nuk funksionojnë pa pasur disa standarde, prandaj standardet mbështesin rregulloret teknike. Ne gjithmonë duhet të kontrollojmë të gjitha kërkesat që i bëjmë përmes konformitetit”, tha ai.

Drejtori i departamentit të bujqësisë në komunën e Gjilanit, Ramiz Ramadani, tha se Kosova ka prodhime të besueshme dhe duhet të mbështetet më shumë në ato sesa në import. Njëherësh, ai propozoi që të bëhet decentralizimi i granteve dhe subvencioneve nga niveli qendror në atë lokal.

Ky debat për fushëveprimtarinë bujqësore në Kosovë u zhvillua në kuadër të projektit “Përkrahje për Komunikim në Procesin e Integrimit Evropian”, që financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementohet  në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian.