Keni dëgjuar shumë për të, por mësojeni çdo detaj se si Kristofor Kolombi e gjeti tokën amerikane

0
1808

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të nëntin me radhë e ka Konfucin.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit

Nr IX 

Kristofor Kolombi

          1451-1506

Duke u përpjekur të gjente rrugën perëndimore nga Evropa për në Azi, Kolombi rastësisht zbuloi dy kontinentet e Amerikës, duke realizuar kështu një ndikim shumë më të madh lidhur me historinë njerëzore, se mund ta parashikonte vetë. Zbulimi i tij, që shënon fillimin e epokës kërkimore dhe të kolonizimit të Botës së Re, është një çast vendimtar dhe një kthesë në histori. Me këtë, Evropës iu hapën dy kontinente të reja për emigrimin e popullsisë  së tepërt; ndërsa territoret e reja u bënë burim pasurimi me minerale dhe lëndë të para, të cilat e shndërruan ekonominë e saj. Ndërkohë, zbulimi i Kolombit solli zhdukjen e civilizimit të Indianëve të Amerikës dhe formimin e kombësive të reja, shumë të ndryshme nga fiset indiane të atyshme, të cilat kanë luajtur dhe luajnë rol të madh për popujt në Botën e Vjetër.

Jeta e Kolombit, është e njohur mirë. Ai është lindur në Gjenovë të Italisë në vitin 1451.Ka qenë marinar i suksesshëm dhe kapiten anijeje. Prej kohësh, kishte dëgjuar për mundësinë e gjetjes së rrugës për në Azinë Lindore përmes Oqeanit Atlantik.

Ndaj, me këmbëngulje kërkoi që të kryhej ky kërkim. Më në fund, mbretëresha Isabelë u bind ta financonte atë për të kryer këtë pikësynim.

Më 3 gusht të vitit 1492,Kristofor Kolombi së bashku me ekspeditën e tij, la Spanjën.

Së pari, ai mbërriti në Ishujt Kanarike, afër bregut afrikan; që andej, më 6 shtator lundroi për në perëndim.

Udhëtimi  ishte i gjatë dhe i vështirë. Marinarët, të trembur donin të ktheheshin, por, Kolombi urdhëroi, që të vazhdonin.

Më 12 tetor të vitit 1592, marinarët panë tokë, miniera dhe galeri. Në marsin e vitit tjetër, Kolombi bashkë me ekspeditën e tij u kthye si fitimtar në Spanjë, ku iu bënë nderimet e duhura.

Pas kësaj, ai ndërmori edhe tri ekspedita të tjera përmes Oqeanit Atlantik, gjithnjë me synimin për të arrirë në Kinë  ose Japoni. Ai vazhdonte të këmbëngulte se kishte zbuluar rrugën për në Azinë Lindore. Por, që në atë kohë, shumica e njerëzve besonin se kjo nuk ishte e saktë. Mbretëresha Isabelë i premtoi Kolombit funksione drejtuese për çdo vend të ri që do të zbulonte.Por, ai nuk u tregua administrator i mirë, u çlirua nga çdo detyrim, duke kryer çdo veprim në kokë të vet. Pikërisht, për këtë, atë e kthyen me pranga në Spanjë. Ai u la i lirë, por pa fituar asnjë funksion të lartë të premtuar nga mbretëresha. Megjithatë, kur viq, në vitin 1506,ishte mjaft i pasur. Sido që të jetë, udhëtimi i parë i Kolombit ka rëndësi vendimtare për historinë evropiane e aq më tepër me dy Amerikat.

Fakti, që çdo fëmijë në Amerikë e di vitin 1492,flet shumë. Përballë kësaj, mund të diskutohet vendosjen e Kolombit kaq përpara në libër. Një nga argumentet mund të jetë fakti se Kolombi nuk është zbuluesi i parë i Botës së Re. Marinari vikingas, Lif Erikson, kishte arritur në Amerikë disa shekuj para Kolombit dhe ende nuk është zgjidhur problemi, nëse edhe evropianë të tjerë e kanë kapërcyer Atlantikun pas vikingut e para Kolombit.

Por, në vështrim historik, Eriksoni nuk është figurë e rëndësishme, sepse për zbulimet e tij, nuk dihet asgjë dhe ato nuk kanë shkaktuar ndryshime as në Evropë e as në Amerikë. Nga ana tjetër, për zbulimin e Kolombit u mor vesh menjëherë  në Evropë. Vetëm disa vjet pas kthimit të tij dhe si rezultat i zbulimeve të tij drejt Botës së Re morën rrugën ekspedita të panumërta, duke filluar kështu edhe kolonizimi i territoreve të reja.

Në fillim të shekullit XVI Evropa ka qenë në shpërthim: tregtia u zgjerua shumë, kërkimet gjeografike ishin bërë të domosdoshme. Dihet, që shumë kohë përpara Kolombit, portugezët kërkonin me këmbëngulje rrugë të reja drejt Indisë.

Sido që të jetë, Amerika herët a vonë do të zbulohej nga evropianët. Megjithatë, pasojat do të ishin krejt ndryshe në qoftë se ajo do të ishte  zbuluar në vitin 1510, për shembull nga ekspedita franceze apo angleze dhe jo nga Kolombi në vitin 1492.Në çdo rast, Kolombi, është ai që zbuloi në të vërtetë Amerikën.

Edhe një argument i mundshëm është fakti, se në kohën e udhëtimit të Kolombit, në shekullin XV, shumë evropianë e dinin se toka është e rrumbullakët. Shekuj më parë, këtë hipotezë e kanë hedhur filozofët e lashtë grekë, por mbështetja e kësaj hipoteze nga Aristoteli, ishte e mjaftueshme që evropianët e arsimuar të shekullit XV ta pranonin këtë. Por, Kolombi nuk vlerësohet për argumentimin se Bota është e rrumbullakët.

Në të vërtetë, ai nuk arriti ta vërtetonte atë.ai është i lavdishëm për shkak të zbulimit të Botës së Re. As Aristoteli dhe as evropianët e shekullit XV nuk e kishin menduar se ekzistonin edhe dy kontinente të tjera, të Amerikës.

Karakteri i Kolombit nuk vlerësohet si i mirë. Mendohet se ka qenë shumë i pangopur, lakmitar dhe ziliqar. Vetëm për t’u pasuruar dhe për të përfituar sa më shumë ai e bindi Isabelën të financonte ekspeditat e tij.

Me indianët u soll shumë keq, por nuk është e drejtë të gjykojmë sipas normave të sotme etike. Këtu nuk flasim për personalitetet më fisnike të historisë, por për njerëzit më të shquar, që kanë ndikuar fuqishëm në zhvillimin e historisë njerëzore dhe sipas këtij kriteri Kolombi e meriton plotësisht vendin midis dhjetë të parëve në këtë libër.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, i dhjeti është Albert Ajnshtajn.