Kardiologu Gorani: Secili kardiolog kursen buxhetin e shtetit mbi 1 milion euro në vit

0
526

Kardiologu Daut Gorani thotë se është gjynah të vdiset nga zemra dhe se nuk ka arsye të shkohet jashtë Kosovës për shërim, sepse sipas tij, shumica dërrmuese e intervenimeve apo kërkesat e pacientëve trajtohen në Kosovë.

Ai thotë se në Qendrën Klinike Universitare, në Klinikën Invazive i tejkalojnë pritshmëritë dhe standardet e regjionit.

“Vetëm në vitin e kaluar, sipas standardeve, duhet të ofrojë trajtim për 800 procedura, ndërsa ne i kemi pas 1 mijë e 700 procedura intervente, ndërsa procedura diagnostike diku mbi dy mijë. Kemi intervenime që është sipas standardeve botërore, por varet, kemi kushte modeste në Klinikë, dikur s’kemi pasur as pajisje tash i kemi. Duhet furnizuar me materiale, e Kosovës i kushtojnë shumë, por tashmë është në nivel”, thotë ai.

Gorani në emisionin OXYGEN ka shpjeguar se Kosova ka shpenzuar miliona për shërbimeve jashtë vendit dhe nëpër klinika private.

Thotë se ka bërë intervenime ku kanë kursyer buxhetin e shtetit, e sipas tij, me punën që bëjnë kardiologët në Klinikën Invazive, brenda vitit kanë kursyer buxhetin e shtetit deri në 2 milionë euro, secili prej tyre.

“Kemi mjekë shumë të mirë, shumë të shkathtë dhe performancë të jashtëzakonshme. Në Gjermani kanë shku shumë mjekë kosovarë, që janë dalluar për një kohë shumë të shkurtë, disa prej tyre janë bërë shefa të reparteve, drejtorë klinikash etj. Kosovarët punojnë shumë, në spitalet evropiane ata punojnë shumë, njëlloj janë edhe mjekët nga Shqipëria, e që janë shtylla të spitaleve jashtë vendit”, thotë Gorani.    

Kur u pyet nëse ka mjekë të dobët, ai tha se cilësia e arsimit ka rënë pak.

“Unë kisha apeluar që të fokusohemi më shumë në cilësinë e arsimit. Por megjithatë të rinjtë tanë janë shumë ambicioz dhe shumë punëtorë”, thotë ai.

Kardiologu ndër më të mirët në Kosovë thotë se politika përzihet në shëndetësi.

 “Sa herë që ka nevojë për fushata elektorale apo poenë politikë, politika gjithmonë shkon në shëndetësisë, nëpër spitale, bredhin andej, marrin poenë dhe mburren me punën e mjekëve”, thotë ai. /oxygenpress.info