Kaq është shuma që do të gjobiteni nëse hidhni mbeturina në rrugë

Tash e tutje do të ketë gjoba për ata që hedhin mbeturina jashtë kontejnerëve. Edhe një javë hyn në fuqi një udhëzim administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore, i nënshkruar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor.

Nënshkrimi u bë sot, dhe dokumenti parasheh ndëshkime me gjoba mandatore për personat fizik dhe juridik të cilët hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara.

Përmes këtij udhëzimi, të gjithë personat fizik që hedhin mbeturina jashtë kontejnerëve, apo djegin mbeturina do të gjobiten me 20 deri 100 euro.

Ky udhëzim që po vjen në kohën e fushatës së pastrimit në Kosovë, do të zbatohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Policia e Kosovë dhe inspektoratet komunale të mjedisit.

Raportimi mund të bëhet edhe nga vet qytetarët përmes platformave online, “Ndreqe.com” dhe “Kallxo gjelbër”.

Kjo po bëhet me qëllim që të ndikojë në vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtje të mjedisit.

Ndëshkimi me vlerë më të lartë prej 100 euro do të jetë për hedhjen e mbeturinave në lumenj, përroska, liqene, sipërfaqe publike, natyrë, rrugë dhe djegia e mbeturinave, gomave, plastikës dhe vajrave. Gjithashtu, vlen për djegien mbeturinave në toka të punueshme apo natyrë.

20 euro gjobë do të jenë për personin që hedh cigare në rrugë, 30 euro për hedhjen e mbeturinave, 40 euro për hedhjen e mbeturinave komunale jashtë kontenjererëve, 50 euro për ata që hedhin mbeturina nga veturat, 70 euro për personin që hedh mbeturina nga ballkoni, dhe 90 euro për personin që hedh mbeturina medicinale në sipërfaqe publike.

Kujtojmë se kjo iniciativë ishte nisur në kohën kur ministrinë e drejtonte Albena Reshitaj./OxygenPress.info