“JO GRINDJE DUKE E PËRDORUR EMRIN E ZOTIT, AS MES SHQIPTARËVE E AS ME TË TJERËT!”

0
40

Nga Xhabir Hamiti

Si popull e kemi imperativ të kohës që ti lëmë anash tentativat dhe shtyrjet me bërryla për dominimin mbi fenë, sepse fenë askush deri më sot nuk ka arritur të fusë në grusht si i vetëm, e as të ketë monopol absolut mbi të. Të mos i instrumentalizojmë mësimet fetare për interesa të ngushta ditore, të cilat na çojnë në dëmtimin dhe shkatërrimin e interesit të përgjithshëm të bijave dhe bijve tonë. Asnjëherë nuk duhet të bëjmë politikë me fenë, duke dëmtuar e nënçmuar tjetrin, e duke u bërë argat i agjendave të jashtme të cilat përmes institucionit të fesë, që herët janë munduar dhe mundohen edhe sot, që të brejnë e të luhatin bashkëjetesën dhe të ardhmen tonë të përbashkët.
Të gjithë, duhet t’i themi PO respektit dhe përkatësisë së çdonjërit për bindjen e vet të zgjedhur fetare, kurse JO provokimeve dhe urrejtjes në emër të saj!.
Sipas mësimeve të të gjitha religjioneve, Zoti është mbi ne dhe mbi gjithë fenë dhe fetë që ne i predikojmë. Ai është Krijues i të gjithë neve dhe i gjithë njerëzve pa dallim.
Të kaluarën duhet t`ia lëmë historisë së kaluar, sepse ajo asnjëherë nuk kthehet më ashtu siç ka qenë. Të shikojmë të tashmen duke punuar tok drejtë të së ardhmes.
E drejta e besimit dhe praktikimit të fesë, duhet të institucionalizohet barazisht për të gjithë e pa dallim, si dhe njëkohësisht të sanksionohet edhe çdo lloj abuzimi me të, i cili çon në dëmtim të tjetrit dhe në dëmtim të interesit të përbashkët shoqëror e kombëtar.
Të gjitha shoqëritë dhe popujt që e kanë përdorur emrin e Zotit, me synimin për t`i dëmtuar të tjerët padrejtësisht, asnjëherë nuk kanë shpëtuar nga dënimi i Tij, i cili i ka goditur ato në një apo formë tjetër. Shembuj të tillë kemi përplot edhe sot.
Prandaj, duhet të ndjehemi të obliguar që njerëzit ti lëmë të lirë në besimin e vet, duke mos bërë orvatje për supermaci fetare e cila shpie në trazimin e shoqërisë në të cilën jetojmë. Shoqëria e jonë, përveç besimit në Zot ka nevojë si kurrë më parë për ngritjen e vetëdijes në respektimin e rendit, ligjit, drejtësisë, zhvillimit ekonomik, mirëqenies sociale, si dhe për luftimin e monopolit dhe korrupsionit, të cilat i kanë futur thellë rrënjët në mesin tonë.
Këto veprime të liga po e zbehin ndjeshëm shpresën e të rinjve tanë për një të ardhmen më të mirë të tyre.
Zoti nuk është problem i shqiptarëve e as të tjerëve , e as që kanë qenë ndonjëherë, por jemi vet ne që ende nuk jemi këndellur e zgjuar si duhet, për të punuar drejtë, për të dashur njëri tjetrin pa hile, si dhe për t`i luftuar të ligat dhe keqen tonë bashkërisht.