“Jo gjithsecila lule rritet kudo, dhe jo gjithsecili fryt shijohet dhe kapërdihet nga të gjithë !”

0
41

Nga Xhabir Hamiti

Gjithsecili nga ne, duhet të kuptoj se, ka një dallim thelbësor mes Islamit si besim i cili buron nga Kurani dhe Suneti autentik, dhe mes Islamit i cili na paraqitet dhe ofrohet përmes formave të ndryshme interpretuese, sipas themeluesve të shkollave juridike fetare dhe të kritereve të tyre specifike.
Llojet dhe format e interpretimit fetar në botën islame dhe jashtë saj, padyshim se janë pasuri në vete, por në asnjë mënyrë nuk do të thotë se ato, që të gjitha, në shpjegimin dhe interpretimin e drejtë të Kuranit dhe Islamit si besim hyjnor, janë të sakta dhe objektive.
Çdo shpjegim fetar i Islamit, i cili është i kushtëzuar ose i themeluar nga një studiues ose lider i caktuar shpirtëror, ose edhe nga ndonjë grup, sekt apo ideologjie fetare politike, asnjëherë nuk mund të konsiderohet si shpjegim i pavarur, universal dhe i besueshëm për tu përqafuar nga të gjithë dhe kudo. Ne, si vend dhe si komb shqiptar kemi nevojë të zgjerojmë dhe forcojmë aleancën e miqësisë dhe bashkëpunimit me botën islame, mirëpo në raport me fenë, besoj se, duhet të jemi të sinqertë e të hapur me ta, duke ua thënë qartë, siç vijon:
“ Kur ju të rregulloni dhe përmirësoni literaturën tuaj fetare, duke e zhveshur atë nga traditat, zakonet, fanatizmat, nga ideologët tuaj të caktuar shpirtëror, të cilat shekuj me radhë i keni prodhuara në emër të Zotit e të Pejgamberit, dhe kur ju, arrini ti filtroni tekstet tuaja shkollore të mbushura me urrejtje ndaj të tjerëve me blasfemi dhe apostazi, si dhe kur në fokus dhe epiqendër të keni edukimin e njeriut dhe vlerën e tij, pa dallim etnie dhe përkatësie fetare, atëherë ne edhe mund të marrim nga ju ndonjë mendim dhe shpjegim në raport me fenë, por as edhe atëherë jo gjithçka “.
Sepse, jo gjithsecila lule rritet kudo, dhe jo gjithsecili fryt shijohet dhe kapërdihet nga të gjithë !.