Java fillon me mot të butë, priten edhe reshje shiu

0
37

Ditëve të ardhshme vendi ynë do të ndodhet ndërmjet fushave të presionit të ulët mbi Mesdheun jugor dhe fushave të presionit të lartë që po shtrihen mbi Europën qëndrore dhe veri të rajonit tonë.
Ndërkohë masat e ngrohta ajrore nga Afrika veriore që sollën temperatura pranverore, gradualisht do të zëvendësohen me masa më të ftohta ajrore, që po zbresin nga Europa qëndrore. Nën këto kushte java do të filloj me mot të butë, por kohëpaskohe me reshje shiu, e më pas temperaturat gradualisht do të zbresin rreth vlerave mesatare. Edhe nga mesi i javës sërish priten mundësi për reshje shiu, e në vise malore borë.

Erërat e fuqishme që fryen gjatë fundjavës, përmirësuan cilësinë e ajrit. Ditëve në vijim parashihet që të ketë qarkullim të mjaftueshëm ajror që do të mbajë vlerat e kualitetit të ajrit në normale, por kohëpaskohe mund të rriten edhe në të pashëndetshme.

4.02 – Kryesisht vranët. Kohëpaskohe me reshje të dobëta shiu.
5.02 – Kryesisht me vransira, ditën edhe intervale me diell.
6.02 – Kryesisht vranët dhe me erë. Kohëpaskohe me reshje shiu, e në vise malore borë. Më vonë në mbrëmje reshje të përziera shiu dhe bore.
7.02-8.02 – Ditën e enjte mot kryesisht me vransira, e ditën e premte vransira dhe intervale me diell.

Temperaturat e ajrit gradualisht do të pësojnë rënie rreth vlerave mesatare. Minimalet do të zbresin nga 6C deri në 1C, e të premten deri në -1C, e maksimalet nga 11C do të zbresin në 4C deri në 7C.
Do të fryejë erë mesatare nga verilindja 3-9m/s, e ditën e mërkurë e fuqishme deri në 13m/s.
Shtypja atmosferike do të shënojë rritje mbi vlera normale.