Inspektorati mbyll çerdhen “Cambridge Kids” ku edukatorja rrahu fëmijën

Inspektorati i Arsimit gjatë ditës së sotme ka marrë masa kundër çerdhes “Cambridge Kids”, pas publikimit në rrjete sociale të një video-incizimi ku shihet një edukatore që keqtrajton një fëmijë.

Ky institucion ishte duke vepruar pa licencë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë prandaj edhe Inspektorati ka vendosur që të ndërpres veprimtarinë e kësaj çerdheje.

Mësohet se vendimi është marrë sot, pasi është inspektuar institucioni dhe në mungesë të licencës është ndërpretë veprimtaria.

“Të gjitha institucionet të cilat nuk kanë licencë, Inspektorati ka të drejtë t’i mbyllë”, kanë thënë nga MASHT.

Policia e Kosovën ndërkaq, mëngjesin e së mërkurës ka arrestuar edukatoren e cila ka rrahur fëmijën.

Edukatorja tashmë është në ndalim për 48-orë.

Ministria e Arsimit mbylljen e këtij institucioni e ka konfirmuar nëpërmjet një komunikate për media.

Sipas MASHT-it, Inspektorati ka konstatuar se i ashtuquajturi kopshti në fjalë nuk është i licencuar nga ana e MASHT-it dhe nuk figuron as në listën e kërkesave për licencim.

“Për këtë qëllim, në përputhje me kompetencat ligjore , Inspektorati menjëherë ka filluar procedurat për ndaljen e ushtrimit të veprimtarisë së këtij institucioni derisa i njëjti të pajiset me licencë përkatëse në MASHTI”, thuhet në komunikatë.

MASHT informon edhe një herë qytetarët se, listën e kopshteve private të licencuara mund ta gjejnë në faqen zyrtare të Ministrisë dhe kërkon bashkëpunim nga të gjithë në identifikimin e institucioneve private që ushtrojnë veprimtarinë pa licencë pune, në mënyrë që fëmijët të jenë të sigurt dhe të trajtohen sa më mirë.

Para dy ditësh një edukatore e kopshtit “Cambridge Kids” kishte keqtrajtuar një fëmijë dhe videoja është bërë publike nga nëna e fëmijës.

Pas publikimit të videos, Kopshti i fëmijëve “Cambridge Kids” ka përjashtuar nga puna edukatoren, e cila goditi me shuplakë në fytyrë një fëmijë një vjeçar që ishte nën përkujdesjen e saj.