Imuniteti natyror – “Gruaja me koronavirus e burri jo”, shkenca shpjegon pse

0
125

Burri është pozitiv me koronavirus, gruaja nuk infektohet, pavarësisht se jeton nën të njëjtën çati dhe për ditë me radhë ajo është kujdesur për të.

Raste të tilla, janë raportuar në të gjithë botën, aq sa të detyruan mbi 250 laboratorë në të gjithë botën, të koordinuar nga Universiteti “Rockefeller” i Nju Jorkut për të hetuar.

“Kur ka një pandemi, faktorët në fjalë janë, patogjeni, njerëzit dhe mjedisi, ky është konteksti në të cilin zhvillohet infeksioni”, – shpjegon për të përditshmen romane “Il Messaggero”, Giuseppe Novelli, gjenetikist i poliklinikës Tor Vergata në Romë dhe president i Fondacionit “Giovanni Lorenzini” në Milano. “– Ne jemi të përqendruar tek e dyta. Ne studiojmë ADN-në e njerëzve, bëjmë korrelacione statistikore në bazë të moshës dhe seksit”.

“Së pari u përqendruam tek të sëmurët rëndë, – shpjegon Novelli, – dhe zbuluam se ka 10-12% të rasteve që kanë një karakteristikë të veçantë gjenetike, domethënë nuk janë në gjendje të prodhojnë interferon, që është molekula e parë mbrojtëse”.

Duke u nisur nga këto prova, studimi kaloi edhe në ndryshimet e tjera gjenetike të subjekteve rezistentë ndaj virusit, atyre që nuk sëmuren ose infektohen nga natyra.

“Imuniteti nuk jepet vetëm nga antitrupat, – shpjegon Roberto Luzzati, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin e Triestes, – ekziston edhe i ashtuquajturi imunitet qelizor“.

Në këtë rast, është thelbësore të studiohen limfocitet.

“Ne kemi të ashtuquajturin imunitet të ndërmjetësuar nga qelizat, në të cilën, – vazhdon Luzzati, – hyn në lojë sistemi imunitar qelizor, i cili është ai që e mban kujtesën me kalimin e kohës, shumë më gjatë sesa antitrupat që gjithashtu mund të zhduken“.