Hapet kufiri me Shqipërinë dhe hiqet kufizimi i lëvizjes për qytetarët

0
109

E drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të katërt, të  rregullt, në të cilën ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë, Nr. 02/38 të datës 31 maj 2020.

Fillimisht kryeministri Hoti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shprehu falënderimet për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhbllokimin e fondeve të MCC-së, të Korporatave të Sfidave të Mijëvjeçarit.

“Një shumë e konsiderueshme e mjeteve që shkon nga 150 deri më 200 milionë euro tani vazhdojnë të shpenzohen nëpër projekte specifike në dy shtyllat e këtij programi. Besoj se është në interes edhe për kabinetin edhe për qytetarët që të informohen për këtë dhe të shpreh falënderimet tona për këtë mbështetje që vjen në ditët e para të qeverisë së re”, tha kryeministri Hoti.

Shtylla e parë e këtij programi, vijoi kryeministri Hoti, është marrëveshja që quhet e pragut, në vlerë prej 49 milionë dollarësh, të cilat mjete investohen nga korriku i këtij viti, pra brenda 2 muajve, ku përfshihen investime në 3000 shtëpi, kryesisht shtëpi të shtresave me të ardhura më të ulëta, për përmirësimin e kushteve të banimit sa i përket mbrojtjes së energjisë, pastaj renovimin e objekteve banesore të mëdha në gjashtë komuna, në Prishtinë, ku janë përfshirë “ndërtesat e soliterave” në Ulpianë, në Mitrovicë, Gjakovë, Lipjan, Graçanicë dhe Viti.

Janë gjithashtu stipendione të plota për 28 gra kosovare që studiojnë në Amerikë, janë paga të plota për 200 gra që punojnë në sektorin e energjisë, janë rreth 2 milionë dollarë që jepen për grante për biznese të grave dhe një pjesë e mjeteve shfrytëzohet për të promovuar qeverisjen dhe sundimin e ligjit dhe të transparencës duke investuar në digjitalizimin e gjykatave.

Po ashtu, kryeministri Hoti njoftoi se pjesë e dytë e këtij programi është Marrëveshja Kompakt që quhet, që është duke u negociuar në këtë moment nga Qeveria e Kosovës dhe ajo Amerikane, e që do të ketë vlerë disa fish më të madhe, sesa pjesa e parë.

“Besoj se shuma që do të ndahet për këtë pjesë do të përcaktohet në verën e këtij viti nga Bordi i MCC-së, i cili udhëhiqet nga Sekretari Pompeo. Projekti kryesor në këtë pjesë është gazpërçuesi që e lidh Kosovën me infrastrukturën rajonale të gazit që e diversifikon peizazhin energjetik të Kosovës dhe gjithë ekonominë e Kosovës në fakt, që është projekt i rëndësisë gjeostrategjike në mbështetje nga pala amerikane”, tha kryeministri Hoti, duke falënderuar Qeverinë Amerikane për këtë hap të shpejtë. 

Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shfuqizimin e pikave të vendimit të Qeverisë të datës 31 maj 2020, në të cilat është përcaktuar që:

– Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, dhe kanë në posedim rezultatin negativ të testit për COVID-19, jo më të vjetër se 4 ditë, nuk ju nënshtrohen procedurave të vetizolimit;

– Ata që nuk kanë testin, detyrohen të vetizolohen për 7 ditë;

– Qytetarët që manifestojnë shenja klinike udhëzohen nga profesionistët shëndetësorë në pikat kufitare; dhe

– Deri më datën 20 qershor do të bëhet rivlerësimi i situatës epidemiologjike dhe me këtë do të reflektohen masa të reja lidhur me pikat kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën e Kosovës.

Mbetet në fuqi pika e vendimit sipas të cilës është përcaktuar që të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve (Qendrave kryesore të mjekësisë familjare) në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër COVID19.

Deri më 12 qershor 2020, Ministria e Shëndetësisë miraton Manualin për Mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19, ku specifikohen të gjitha detajet për mënyrën e organizimit të punës në të gjitha bizneset private, ndërmarrjet publike, në institucionet publike dhe çdo veprimtari tjetër.

Autorizohet Ministria e Shëndetësisë që në pajtim me Ligjin të nisë procedurat e rekrutimit të dyqind specialistëve shëndetësorë që do të mbikëqyrin zbatimin e Manualit nga ky vendim.