Gruaja për të cilën dyshohej në QKUK – nuk ka koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për një paciente të dyshimtë në sëmundjen Koronavirus COCID-19.

Pacientja ka pasur ethe, djegie të syve, rrjedhje hunde dhe fytin e ndjeshëm, njofton Klan Kosova.

“Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS-CoV-2 me metodën rRT-PCR. Testi ka rezultuar negativ, domethënë pacientja nuk është infektuar me virusin SARS-CoV-2”.

“Laboratori mikrobiologjik/IKSHPK është pajisur me kite dhe reagensa për detektimin e 2019-nCoV; Ekipet e Institutit Kombëtar po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Koronavirus në botë”.

“Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatua se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri. Ka kompletuar Planin e Gatishmërisë për Koronavirus dhe Planin e Kontingjencës duke iu përmbajtur strikt rekomandimeve të OBSH-së”.

“Janë shpërndarë materialet dhe dokumentet, posteret e shtypur nga Instituti Kombëtar me kohë janë shpërndarë në Institucionet shëndetësore, Shkolla, Aeroport, hyrje/daljet tokësore, Institucionet e burgjeve. Komunikimi me media dhe rrjetet sociale është në vazhdimësi për të ruajtur panikun e mundshëm”.

“Është bërë ngritja e nivelit të vigjilencës dhe gatishmërisë për veprim në situatën e krijuar 24 orë në ANP”Adem Jashari” dhe në hyrje daljet e Kosovës me ekipe mjekësor”.

“Të gjitha institucionet shëndetësore janë të përgatitura për përballje me shfaqjen e sëmundjes”.