“Gruaja duhet të mësohet me heshtje dhe me nënshtrim të plotë ndaj burrit, sepse së pari, është krijuar Adami dhe pas tij Eva”

0
353

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personaliteti njërin pas tjetrit

Nr VI

Shën Pavli

   4-64

Apostulli Pavël, bashkëhohësi më i ri i Jezusit dhe ithtari më i zellshëm i fesë kristiane, i njohur edhe si Savleja, është lindur në Tars, qytet në Kilki (Turqia e sotme) disa vite pas lindjes së erës së re. Ai ishte qytetar romak me prejardhje izraelite. Mësoi të ndërtonte edhe shatore. Në rini shkoi në Jerusalem dhe mësoi te rabini i njohur Gamaliel. Edhe pse Pavli ka qenë në të njëjtën kohë me Jezusin në Jerusalem, nuk dihet nëse janë takuar ndonjëherë. Pas vdekjes së Jezusit, kristianët e hershëm u persekutuan duke u quajtur heretikë. Në të njëjtën kohë, edhe Pavli mori pjesë në këto persekutime. Por, gjatë një udhëtimi nga Jerusalemi në Damask, iu shfaq Jezusi dhe i foli. Pas kësaj, Pavli pranoi fenë e re. Ky ishte një çast kthese në jetën e tij. Kundërshtari i mëparshëm dhe i ashpër i kristianizmit, tashmë u bë përhapësi dhe frymëzuesi më i madh i saj. Kështu, jeta e Pavlit ndryshoi si në të menduarit e në të shkruarit për fenë e re, ashtu edhe në rekrutimin e ithtarëve të rinj. Gjatë veprimtarisë misionare ai udhëtoi përmes Azisë së Vogël, Greqisë, Sirisë dhe Palestinës. Në predikimet para hebrenjve, Pavli nuk kishte atë sukses të paraardhësve të krishterë të hershëm. Në të vërtetë, sjellja e tij shkaktonte antagonizma të mëdha dhe disa herë u vu në pikëpyetje jeta e tij. Megjithatë, kur predikonte para popullsive joizraelite, Pavli ndiente kënaqësitë e suksesit të tij. Ato filluan ta quanin apostull të Perëndisë. Nuk ka personalitet tjetër në histori që të ketë luajtur rol kaq të madh në përhapjen e kristianizmit. Pas vizitave të kryera në pjesën lindore të Perandorisë Romake që ishte mbushur me predikues, Pavli u kthye në Jerusalem. Aty, menjëherë u burgos dhe pas kësaj u dërgua për t’u gjykuar në Romë. Nuk dihet se si përfundoi gjyqi dhe nëse u largua nga Roma. Dyshohet që gjatë vitit 64 të jetë vrarë në afërsi të Romës. Ndikimi shumë i madh i Pavlit në zhvillimin e kristianizmit është rezultat i tri arritjeve kryesore të tij:

1.Suksesi i madh si misionar

2.Shkrimet e tij, që janë pjesët kryesore të Dhiatës së Re dhe

  1. Merita për përpunimin e fesë kristiane.

 

Nga 26 librat e Dhiatës së Re, së paku 14 thuhet se janë të tij. Edhe në qoftë se ndonjë studiues bashkëkohor mendon se 4-5 prej tyre janë shkruar nga autorë të tjerë, është e qartë se Pavli është më i rëndësishmi ndërmjet tyre.

Ndikimi i tij në fenë kristiane është i pakrahasueshëm. Idetë e tij pasqyrohen me këto fjalë: “Jezusi nuk është vetëm frymëzues shpirtëror me fytyrë njerëzore, po ka edhe prejardhje hyjnore. Krishti vdiq për shkak të mëkateve tona, që mund të na falen falë vuajtjeve të tij. Njeriu nuk mund të shpëtojë nga mëkatet kur përpiqet të respektojë këshillat e Biblës, por kur e pranon Krishtin dhe e kundërta, kur e pranon Krishtin mëkatet të falen”. Pra, Pavlit i takon mësimi për lindjen e mëkatit. (Shih:Shtrirja deri te romakët 5:23-19)

Duke parë se shpëtimi për kristianët e ripagëzuar nuk vinte vetëm me nënshtrimin ndaj ligjit, Pavli predikoi mosrespektimin e shkrimeve hebraike, që flisnin për ushqimin ose ceremoninë e ligjeve të Mojsiut të cilat duheshin reduktuar thellësisht. Disa nga udhëheqësit e vjetër kristianë u shprehën vendosmërisht kundër këtyre këshillave. Deri sa pikëpamjet e tyre nuk përputheshin me njëra-tjetrën, vështirësit të mendohet se pa Pavlin krisitianizmi do të përhapej kaq shpejt në tërë Perandorinë Romake.

Pavli nuk u martua. Ç’është e vërteta, ai nuk ka patur asnjëherë kontakte seksuale me ndonjë grua, edhe pse është e vështirë të argumentohet kjo gjë. Pikëpamjet e tij për jetën seksuale dhe për gratë, të shprehura në Letrën e Shenjtë, më vonë kanë vërtetuar ndikimin e tij të përcaktuar. Mendimi i tij për këtë temë (I.Korintianët 7:8-9) është: “Ndërsa të pamartuarve dhe vejanëve u them do të jetë mirë për ta në qoftë se do të mbeten si unë. Por në qoftë se nuk mund të durojnë, le të martohen: Më mirë të martohen sesa të harbojnë”.

Krahas kësaj, Pavli kishte pikëpamje të ashpra për vendin e gruas: “Gruaja duhet të mësohet me heshtje dhe me nënshtrim të plotë ndaj burrit, sepse së pari, është krijuar Adami dhe pas tij Eva”. (I.Timotei 2:11-3) Pikëpamje të ngjashme, madje në një formë më të ashpër, janë shkruar tek I.Korintianët 11:7-9. Nuk ka dyshim që në këto pasazhe Pavli shpreh idetë tashmë të pranuara nga bashkëhohësit e tij. Interesant është fakti që Krishti nuk ka dhënë deklarata të tilla apo të ngjashme. Më tepër se kushdo tjetër Pavli luajti rolin kryesor për shndërrimin e kristianizmit nga një sekt hebre, në një fe mbarëkombëtare. Pikëpamjet e tij kryesore për prejardhjen hyjnore të Krishtit dhe për larjen e mëkateve nëpërmjet fesë, mbetën bazë e besimit kristian ndër shekuj. Të gjithë fetarët krisitianë të mëvonshëm, midis të cilëve: Augusti, Tomas Akuini, Luteri, Kalvini, etj, kanë qenë nën ndikimin e madh të parimeve të Pavlit. Në të vërtetë, ndikimi i ideve të tij është aq i fuqishëm, sa ndonjë studiues këmbëngul që Pavli, dhe jo Krishti, duhet vlerësuar si themelues i fesë kristiane. Ky mendim është shumë ekstrem. Megjithatë, edhe pse ndikimi i Pavlit nuk është i njëjtë me atë të Jezusit, përsëri ndikimi i tij është shumë larg ndikimit të çdo mendimtari tjetër kristian.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do sjell personalitetin e shtatë të renditur në këtë libër që është Çaj Luni.