Gratë në qendër të planit ekonomik të Biden

0
32

Gratë, viktima kryesore të krizës ekonomike në SHBA, janë në qendër të planit të ri të rimëkëmbjes prej 1 900 miliardë dollarë, prezantuar nga presidenti i ardhshëm, Joe Biden.

Duke zënë masivisht punësimet në hoteleri, restorante dhe turizëm, sektorë të prekur drejtpërdrejt nga masat kufizuese për ndalimin e pandemisë COVID-19, gratë janë gjithashtu ato që më shpesh kujdesen për fëmijët në shtëpi ndërsa shumë shkolla dhe çerdhe janë mbyllur për gati një vit.
“Plani i urgjencës përfshin qasje të përballueshme në qendrat e kujdesit ditor. Kjo do t’i lejojë prindërit, veçanërisht gratë, të kthehen në punë”, theksoi Joe Biden në një konferencë shtypi nga qyteti i tij i lindjes Wilmington.
Më parë, dy zyrtarë të lartë të administratës së ardhshme të Bidenit kishin treguar se çeqe prej 1 400 dollarë do t’u dërgohen familjeve me të ardhura të ulëta.
Ky plan përfshin gjithashtu burime shtesë për të mbajtur çerdhet e hapura në kushte të mira sigurie, si dhe për t’i bërë çerdhet më të përballueshme”, theksoi një prej këtyre zyrtarëve për gazetarët.

“Ky është një nga hapat më të rëndësishëm që mund të ndërmarrim tani për të ndihmuar në mbajtjen e fëmijëve në mjedise të sigurta dhe për të ndihmuar prindërit të kthehen në punë dhe për të përmirësuar impaktin negativ gjithnjë e më shqetësues të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës”, shtoi ai./ATSH