“Gratë janë arkitektet e shoqërisë sonë”

0
48
International Womens Day. Vector seamless pattern with women faces. Design element.

Nga Ambra Hysa

Gratë janë forcë e jashtëzakonshme. Gratë janë arkitektet e shoqërisë sonë.

Gjithmonë e kam adhuruar empatinë e tyre të lindur, ndjeshmërinë ndaj detajeve dhe inteligjencen emocionale për të bashkëbiseduar me jetën, në rrënjë të saj.

Forcën prej uragani të fshehur dhe buzëqeshjen e butë me shkëlqim smeraldi.

Unë jam feministe, i dua gratë, i çmoj…kauza e të drejtave të grave dhe barazia gjinore më mundojnë, janë zjarr i pashuar në shpirtin tim.

Mendoj se pjesëmarrja e plotë dhe aktive e grave në politikë, e barabartë me burrat, nuk është vetëm një qëllim më vete, por thelbësor për ndërtimin dhe mbështetjen e demokracive. Prania e përfshirja e grave, lidershipi dhe perspektiva e tyre është thelbësore për të siguruar një përgjigje më të madhe ndaj nevojave të qytetarëve.

Jam e lumtur sepse më në fund po fillojmë të shohim gra në krye të shteteve kaq të mëdha si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku përfaqësojnë komunitete nga më të ndryshmet. Ka ende edhe shumë punë përpara, por ky është një fillim i mrekullueshëm. Historia po shkruhet. Asgjë nuk është e pamundur.

Ne duhet të besojmë në forcën e ëndrrave tona, ne duhet të përçojmë këtë vizion tek vajzat tona të vogla, duhet të besojmë tek vetja jonë sepse ne MUNDEMI, nëse bëhemi mbështetëse ndaj njëra-tjetrës nuk do të njohim humbje por vetëm rezultate.

Gratë priren të përpiqen për përsosmëri në të gjitha drejtimet. Shpesh i marrim kritikat shumë personale, i integrojnë dhe i marinojnë.
Ne mësojmë të mos tërheqim shumë vëmendjen ndaj vetvetes, nga frika se çfarë do të mendojnë të tjerët për ne.

Sipërmarrëset femra, për hir të së vërtetës, janë inspiruese. Unë i shoh ato të punojnë gjithë kohën, kërkojnë të ndjekin sa më shumë njerëz motivues e inspirues. Këto gjëra i ndihmojnë ato të kenë vetëbesim dhe të arrjnë të kthejnë frikën dhe dobësitë në forcë.

Gratë janë lidere në çdo aspekt-si një drejtuese e një kompanie fitimprurëse ashtu edhe një grua që rrit fëmijët dhe kujdeset për shtëpinë.

Vendi ynë është krijuar nga femra të forta dhe ne do vazhdojmë të thyejmë barriera dhe të sfidojmë stereotipe.”

Nuk kam takuar asnjëherë një femër që nuk është fortë, por shpesh ato nuk dinë ta tregojnë forcën që kanë dhe kjo mbetet ende dobsia jonë më e madhe.