Gjuha dhe stili muzikor në Shqipëri: Shtrembërimet që krijojnë Hite

0
132

Marrim një notë këtu e një notë atje, marrim një term shqip e një të huaj, një term të shtrembëruar e një dialektor apo në zhargon e formojmë  një “Hit”

Të këndojmë shqip, të krijojmë e kultivojmë zhanër muzikor tipik shqiptar, që të shquhet si shqiptar në llojin e tij për nga “notat”, sikurse edhe në shqipen e tekstit të tij!

Them se do të më pëlqente koherenca e atij produkti muzikor e gjuhësor, do të më pëlqente ajo aleancë autentike.

Nëse më thonë të huaj: “Më këshillo një këngë shqiptare, jo folkloristike!”, ç’zhanër  do të më sugjeronit  ju që jetoni brenda Shqipërisë mua, emigrantes, që ndihem në dilemë në këtë rast e nuk di se cili është zhanri muzikor i përkufizuar qartësisht si “tipik shqiptar” sot?

T’u sugjeroj rock-un shqiptar, që më duket i personalizuar e i përshtatur “alla shqiptarçe”,  që më krijon përshtypjen  të ketë mbetur në eksperimentimet e rock-ut të fillimit të ’90-ës?
T’u sugjeroj tallavanë? E jo, e…!

E bukur muzika juaj!”- më pati thënë një italian, si për të më bërë një kompliment, kur pati dëgjuar një copëz tallava të instaluar si zile telefoni nga një emigrant këtu në Itali. “Të lutem!”- i pata thenë – “Kjo nuk është muzika ime, muzika shqiptare!”, me një irritim që nuk e pata fshehur dot.

Por, çështja është se nuk më duket “muzika ime”, tipike shqiptare as ky rock i sotëm atje në Shqipëri…
Nuk ka të bëjë zotësia e artistëve këtu. Pasi kjo është diçka më vete. Gjithnjë ka për të pasur artistë të vërtetë e pseudo artistë. Çështja qendron të përkufizimi i muzikës shqiptare në mënyrë të qartë e pa hije dhe në gjendjen aktuale të kulturës muzikore shqiptare.

Apo juve atje në Shqipëri nuk ju krijohen këto perceptime dhe dikujt si mua, emigrante prej çerek shekulli, na është “çmësuar veshi “me muzikën shqiptare?

Janë sinqerisht pyetje “in buona fede”, siç i themi këtu në Itali, janë spontane e pa asnjë lloj tendence nga ana ime këto. Janë thjesht pyetje që kërkojne të marrin kthjellime nga Shqipëria.

Thjesht mendoja: nëse Rita Ora, Dua Lipa etj, do të këndonin shqip në zhanrin e tyre, të njëjtin efekt do të shkaktonin te dëgjuesit? Të njëjtin sukses?

Apo nuk ka të bëjë fare gjuha e më krijohet veç mua kjo ndjesi (mos)përputhjeje në disa raste ndërmjet saj e muzikës?

Sikur këngëtarët botërorë me origjinë italiane, si Bon Jovi, Madonna, Lady Gaga, LP (Laura Pergolizzi e këngës “Lost on you”), Natalie Imbruglia e shumë të tjerë, të këndonin italisht, në gjuhën e të parëve të tyre  e jo anglisht,  të njëjtin sukses do të kishin në panoramën botërore muzikore? Kurioze do të isha ta dija… Sikur Ermal Meta dhe Eleni Foureira të këndonin shqip, sa do të ndikonte gjuha e aspekti fonetik gjuhësor i tekstit në lidhjen me zhanrin e tyre muzikor dhe “shuma” e tyre, produkti muzikor, pra kënga, a do të ishte njëlloj?

Apo ata thjesht këndojnë natyrshëm në ato gjuhë, të cilat janë në sintoni me zhanrin e stilin e këngës që këndojnë dhe në këtë mënyrë, shkrirja “gjuhë e tekstit me muzikën” e tij, del diçka e harmonizuar?
Këto të miat janë thjesht hipoteza, ndaj doja të dija nëse këto perceptime u vijnë spontane edhe të tjerëve e jo vetëm mua. është e vërtetë që disa nga këta artistë të fundit janë edhe emigrantë e për ta ndikon ndoshta edhe emigracioni deri diku.

Por, në disa të tjerë, gjuha ndryshe nga ajo amtare për të kënduar, përbën veç zgjedhje personale e nuk është e lidhur me emigracionin. është e lidhur me stilin apo zhanrin që ata përqafojnë per të interpretuar.

Apo pyetjes mund t’i ndryshohet “kahu”? Mund të themi që është pikërisht muzika e mirëfilltë shqiptare ajo që mungon apo çalon në vetvete e si rrjedhim, edhe gjuha shqipe, kondicionohet, pasi shihet e sforcuar – e birësuar kundër dëshirës së saj- brenda fonemash, notash apo tingujsh që vijnë nga Arabia, Turqia, nga vendet latine apo  ato anglofone – sipas rrymave muzikore të adaptuara në Shqipëri – duke më krijuar pikërisht ndjesinë e asaj rrëmuje që unë e quaj në formë “Celentanishte”,  e tipit “Prisencolinensinainciusol” ?

Gjuha jonë e folur përballë gjuhës sonë muzikore

Po bëja një ‘hulumtim’ të shkurtër muzikor-gjuhësor.

Mbi lidhjen “gjuhë e tekstit të një kënge, zhanri muzikor i saj dhe tradita muzikore e një vendi.”
Nëse prisni një kërkim të mirëfilltë sociolinguistik apo glotodidaktik, do t’ju thoja që këto janë për t’u trajtuar në një hapësirë tjetër të posaçme.

Duke anashkaluar për një çast konceptin se rëndësi ka vokali i artistit dhe aftësitë e tij zanore, se muzika ka forcën dhe magjinë e saj duke qenë universale – duke mos diskutuar as mbi substancën e disa teksteve këngësh – po mendoja pak më tej e po shkoja me disa hipoteza.

“Rock shqip”, juve si ju tingëllon përgjithësisht? Sa shkon rock-u me shqipen? është diçka objektive kjo apo subjektive?

Kjo rrymë muzikore, në ç’stad është sot në Shqipëri e sa përputhet kjo muzikë me gjuhën shqipe në tekstet e saj? Pse ndonjëherë më krijon përshtypjen e një ndërhyrjeje kirurgjikale plastike të realizuar  jo ashtu siç duhet e që i dallohet që nga larg fakti që është një produkt  jo i vërtetë, i rremë…? Të pretendoj unë shumë ndoshta?

Unë nuk e ndjek muzikën në Shqipëri zakonisht – jetoj jashtë saj prej çerek shekulli – me përjashtim kur më sinjalizojnë ndonjë këngë. E sigurisht që grupe rock që këndojnë shqip do të ketë plot atje. Kështu duhet të jetë në fakt, në larminë e zhanreve të ndryshme muzikore që ekzistojnë në Shqipëri apo në çdo vend të botës.

Sigurisht që nuk na mungojnë italianë apo francezë etj, si këngëtarë rock-u, reper etj, që këndojnë italisht apo frëngjisht …Edhe ata e personalizojnë muzikën e tyre në gjuhët amtare përkatëse, kuptohet.

Seç ndryshon pak stad-i i tyre më duket…

Dikush më tha: “Edhe tallavaja nuk është zhanër i  yni e prapë, e kemi adoptuar e adaptuar tashmë, e kemi shqiptarizuar, e kërcejmë, e tregtojmë dhe e konsiderojmë shumë popullore.”
E vërtetë edhe kjo. Nuk mund të mos i jap të drejtë.
Ka shumë hapësirë diskutimi e konfuzion sa të duash këtu.

është kënga ime dhe e këndoj në çdo gjuhë të botës

Unë pata mbetur e habitur – për të mos thënë diçka tjetër – kur pata dëgjuar këngë shqiptare popullore folklorike tipike tonat, shoqëruar me çifteli e me veshje tradicionale kombëtare ama kënduar jo shqip por, anglisht!

Më janë dukur sforcime të kota e shumë artificiale. Sigurisht, mund të jenë komerciale e për tregun muzikor, me një farë pritshmërie prej tyre por, sinqerisht më janë dukur produkte të rremë.

Sot, dimë gjithashtu që shumë këngëve u krijohen versione në një gjuhë ndryshe nga origjinali, por këto janë diçka tjetër. Bëhen me një performancë të caktuar apo për një kontekst, event apo qëllim të caktuar, për një cover etj.

Ndryshe është më tej edhe zgjedhja që bën një këngëtar për gjuhën e teksteve në mënyrë konstante në albumet e tij, në songbook të tij.

Tingëllojnë pak komike edhe rastet kur këngëtarë e muzikantë anglofonë, që zakonisht mjaftohen veç me anglishten në këngët e tyre, në gjuhë të huaj mësojnë përmendësh vetëm nja dy-tre shprehje cliché, që u duhen  sa për koncertet nëpër botë, për të përshëndetur publikun vendas, në gjuhën e vendit pritës. Por, anglishtja e tyre amtare, i favorizon në këto raste, pasi tingëllon mëse natyrshëm në zhanret e tyre pop apo rock.

Relacioni “tekst & muzikë” në një këngë në zhanrin rock në gjuhë shqipe dhe efekti që has ky produkt në 40 – 50 vjeçarët e sotshëm shqiptarë emigrantë.

Raportimi i shqiptarëve me gjuhët e huaja.

Duke shkuar përtej përsiatjes që kam sjellë edhe në shkrime të tjera e që lidhet me prirjen që kemi ne shqiptarët për të mësuar shpejt e saktë gjuhët e huaja, nxitur ndoshta prej dy faktorësh esencialë: prej alfabetit e fjalorit tonë të pasur me germa e fonema, gjë që na lehtëson shqiptimin, përvetësimin e memorizimin e gjuhëve të tjera, përveç kësaj, në rastin konkret, atë të shqiptarëve të brezit tim, atij të viteve ’80 -’90 në Shqipëri, me stimujt që na ofronte nevojshmëria e kapërcimit të kufijve shqiptarë dhe dalja nga izolimi gjysmëshekullor, – në kohën e tranzicionit që na mbërtheu neve si brez – e që valvulën e parë të shpërthimit e projektimit drejt botës, e gjente te të mësuarit e gjuhëve të huaja, madje me etje, po bëja një vëzhgim të mëtejshëm, ose më mirë, qenë shkëmbimet e perceptimeve të disa moshatarëve të mi mbi këtë argument që vijon, që më nxitën t’i hedh në fletë ato.

Unë i përkas pra, atij brezi shqiptarësh që përjetoi në Shqipëri fazën delikate të ndërrimit të sistemeve në moshë adoleshente.

Gjimnaziste në Tiranë në fillim të ’90-ës. Ishte koha kur, në lidhje me gjuhët e huaja, ne raportoheshim në mënyrë të tillë që, merrnim mësim nga materialet didaktike që shkollat ofronin, tetëvjeçaret e të mesmet, dhe, paralelisht, kush ishte i pasionuar dhe i prirë për gjuhët e huaja, si rasti im, ndiqte edhe kurse private.

Pasi kishim në Tiranë profesorë vërtetë të aftë në këtë fushë. Megjithatë, vërej diçka sot referuar të djeshmes sonë. Ngaqë brezi ynë përgjithësisht nuk kishte materiale leximi dhe tekste gjuhësore të huaja jashtëshkollore – ose këta ishin shumë të kufizuar – në momentin që p.sh, përsa i përket anglishtes, ti mbeteshe nën kornizat e gjuhës e nivelit didaktik, shkollor, mbeteshe i mbërthyer në ato tekste, ende të papërditësuar, të cilët në kohën nën regjim kur ishin formuluar, nuk e kishin përllogaritur se do të përdorej anglishtja e gamës apo larmisë së tyre gjuhësore, për të përkthyer këngë të huaja anglisht nga shqiptarët, rock apo pop! Ashtu sikurse nuk njihnim termat teknologjikë etj.

Se përndryshe, nuk di se ç’shpjegim t’i jap sot faktit që në fillim të viteve ’90, megjithëse pra, në anglishte kishim njohuri të paktën bazë, nivel shkollor, një kënge anglisht, grup i preferuar i yni në atë kohë, si ajo “All that she wants” i “Ace of Base”  ne i thoshim “Llaçi bojs”! Pse kjo gjë?

Nuk zotëronim një nivel bazë anglishteje, të mjaftueshëm për aq sa të kuptonim titullin e një kënge anglisht? Pse “Llaçi bojs” për “All that she wants?”

E nuk është se bëhej fjalë për një zhargon adoleshentësh. Ne e shqiptonim vërtet kështu dhe mendonim se titullohej vërtet kështu. Dhe këtu më vjen prapë në mend Celentano me Prisencolinensinainciusol”, fjalë no sense .

Sot, nga ky brez shqiptarësh, ama emigrantë, që nuk jetojnë më në Shqipëri, pra rreth 40 vjeçarë-50 vjeçarë, përgjatë ndonje videoje me këngë shqip , më qëllon të dëgjoj arsyetime të tipit:
“Nuk i kuptoj asnjë fjalë këtyre këngëtarëve shqiptarë kur këndojnë rock!” Sesi i shqiptojnë apo “i gëlltisin” fjalët!

Përtej vokalitetit dhe interpretimit të nje artisti. Çështja është diku tjetër. E as te akustika nuk është.

Dyshoj të jetë te rock-u shqip!Pak te muzika e tij, pak te efekti që krijon interpretuar shqip.
Atëherë me konfirmuan se nuk jam e vetmja fundja që të kem ndjesinë se “më është çmësuar veshi me muzikën shqiptare” duke jetuar jashtë Shqipërie…

Të jetë “sindroma muzikore” veç e emigrantëve kjo apo jo?

Se si pra, ai zhanër, tingëllon në veshët e kujt, që edhe pa qenë ekspert muzike, has diçka që, ndoshta nuk quhet “ngërç” por, që meriton që për dukurinë në vetvete – përputhjen “zhanër rock e gjuhë shqipe” – përse jo,  të diskutohet.

Pse cilësoj “40-50 vjeçarët” emigrantë përafërsisht?  Sepse, ishin ata që  u larguan në kohën kur në Shqipëri nuk kishte rock fare! Si rrjedhim, as rock shqip! Ose, rock-u shqip ishte në fazat e para eksperimentuese.

Ndaj vinte hipoteza ime se, me evoluimin e shqipes si gjuhë nga një anë apo të sferës muzikore shqiptare nga ana tjetër, ndoshta emigrantët nuk janë aq të përditësuar.
A
tyre ndoshta u pëlqen rock-u por, ai origjinal i grupeve të huaja, që mund të kenë ndjekur e vazhdojnë të ndjekin -anglisht – prej kohësh e që mund t’ia njohin dhe shumë këngë përmendësh. Ai rock ikonë “senza tempo”, “pa kohë” – i grupeve botërore që nuk ka nevojë të përmend, se dihet cilët janë – që nuk vdes kurrë e që tingëllon gjithnjë aktual. Që s’ka nevojë për “përditësime”. Ta përditësoje atë rock sot, do të thoshte ta dëmtoje, t’i humbte vlera.

Por, me rock-un “alla shqiptarçe” ama, ata emigrantë nuk kanë familjaritet.

Ndaj nuk thoja “të mos këndohet rock në gjuhë shqipe” – do të ishte një utopi – natyrisht, por këta këngëtarë shqiptarë të rock-ut, sikur të integrojnë mundësisht në interpretimet e tyre shqip, edhe më shumë anglisht. Dhe rock- u shqiptar në muzikalitetin e tij, them se duhet përditësuar, ashtu sikurse edhe gjuha evoluon.

Pasi unë jam për ruajtjen e shqipes me çdo kusht, por bëjnë përjashtim disa kontekste identitare.
Dhe identiteti i muzikës shqiptare popullore tradicionale p.sh, me gjuhën angleze nuk puqet – këngë folkloristike shqiptare me çifteli, në anglishte – ashtu sikurse identiteti i zhanrit muzikor rock, me gjuhën shqipe, kombinojnë vetëm relativisht, sipas shijeve, ama jo në mënyrë racionale.

T’i japim Cezarit atë që i takon Cezarit, kaq.

Nëse dikush do të shihte me largpamësi përtej këtyre rreshtave, shpresoj se do të arrinte të kuptonte edhe një mesazh timin të tërthortë:

Të këndojmë shqip, të krijojmë e kultivojmë zhanër muzikor tipik shqiptar, që të shquhet si shqiptar në llojin e tij për nga “notat”, sikurse edhe në shqipen e tekstit të tij!

Them se do të më pëlqente koherenca e atij produkti muzikor e gjuhësor, do të më pëlqente ajo aleancë autentike.

Edhe diçka: zakonisht një nga mënyrat që përdorin të huajt për të mësuar një gjuhë tjetër, është pikërisht kënga në atë gjuhë të huaj, muzikaliteti e rimat e saj, që përshpejtojnë memorizimin e një gjuhe të re.

Të krijojmë në mënyrë shumëfunksionale, tekste këngësh e muzikë shqip autentike në përputhje me njëra-tjetrën sa më shumë, që nëpërmjet tyre, jo vetëm të na kënaqet veshi, jo vetëm të përfaqësohemi me to si “tipike shqiptare” nëpër botë por,  përse jo, t’u mundësojmë edhe të huajve që, ato këngë apo produkte muzikore, t’i përdorin si instrumente gjuhësore didaktike kur kjo nevojitet, që të mësojnë nëpërmjet tyre  edhe shqipen si gjuhë.