Gjendja aktuale e llojeve të egra të faunës në Kosovë

0
170

Është diskutuar mjaft shumë, dhe është raportuar ditët e fundit për gjuetinë e llojeve të egra të faunës në territorin e Parkut Kombëtar “Sharri”.

Instituti për Mbrojtjen e Natyrës thotë se po vazhdon të bëjë monitorimin e gjendjes së faunës së egër përmes vizitave të rregullta në terren dhe përmes kamerave “kurth”.

Sipas Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, gjendja e llojeve të rralla të faunës në Parqe Kombëtare është e mirë dhe po mbahet nën kontroll.

Raportet dhe informatat nga terreni dhe nga regjistrimet e kamerave kurth flasin për gjendje të mirë të faunës dhe posaçërisht të llojeve të rrezikuara të gjitarëve, prania e të cilave në territorin e Parqeve Kombëtare është evidentuar në numër më të madh se sa në vitet paraprake. Përveç monitorimit të gjendjes Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përmes Institutit për Mbrojtjen e Natyrës dhe Drejtorive për Administrimin e Parqeve Kombëtare, vazhdon të mbajë kontakte dhe takime të rregullta edhe me shoqatat e gjahtarëve në komunat që shtrihen në territorin e Parqeve Kombëtare, me qëllim të parandalimit të gjuetisë ilegale, ndërgjegjësimit dhe respektimin e dispozitave ligjore”, thuhet në njoftimin e agjencisë.

Sipas tyre, nga vizitat e realizuara në terren dhe nga takimet me shoqatat e gjuetarëve dhe banorët lokalë, ka informacione për ndërhyrje nga grupe ilegale të organizuara që vijnë nga persona Shqipëria dhe Maqedonia, e që synojnë gjuetinë e dhisë së egër dhe kaprollit.

Për parandalimin e gjuetisë ilegale në këto zona DAPK Sharri, ka intesifikuar kontrollin dhe monitorimin në terren dhe poashtu është kërkuar ndihmë dhe bashkëpunim edhe nga Policia e Kosovës dhe Shoqatat e Gjahtarëve. Për sqarim dhe informim të drejtë të opinionit, AMMK rikujton se gjuetia e llojeve të rralla të gjitarëve pa marrë parasysh vendin ku ndodh ajo, është e ndaluar me ligj dhe është e dënueshme. Gjuetia është e lejuar vetëm gjatë sezonit të gjuetisë dhe atë vetëm në vend gjahishtet e përcaktuara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet tutje në njoftim.

AMMK kërkon nga Inspektorët e Gjuetisë të Agjencionit të Pyjeve të Kosovës, Inspektorati Mjedisor i MMPH, Federata e Gjuetarëve të Kosovës dhe Shoqatat tjera të Gjuetarëve, që të mbajnë në kontroll gjuetinë dhe të respektojnë legjislacionin që mbron llojet e rralla të faunës.

Gjithashtu, AMMK ka bërë thirrje edhe organeve të hetuesisë e Policisë së Kosovës, që të merren me rastet e raportuara dhe të ndërmarrin masat e nevojshme./OxygenPress.info

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu