Frutat dhe perimet e stinës së diellit

0
221

Me të ikur pranvera, shqiptarët nisin e kalojnë më shumë kohë jashtë shtëpisë. Disa prej tyre preferojnë shëtitjet nga liqeni në ajër të pastër dhe disa fatlumë të tjerë zgjedhin të udhëtojnë.
Fundja, ndryshimet janë të mirëpritura. Por në këtë artikull do të tregojmë më shumë për aspektin shëndetësor të frutave dhe perimeve të stinës, të cilat jo vetëm që kanë një shije fantastike, por edhe janë të lira në çmim në këtë kohë të vitit.
Cilat janë frutat dhe perimet e rekomanduara për stinën e verës?
1. Domatet. Asgjë nuk është më e mirë së domatja në verë. Sigurisht që ne i konsumojmë ato gjatë gjithë vitit, por shija e tyre shumëfishohet gjatë verës. Domatet janë një burim i jashtëzakonshëm i antioksidantëve si likopene që ka shumë vlera shëndetësore duke përfhirë uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe kancerit. Domatet janë të shijshme dhe mund t’i përfshini në sallata, panine, makarona etj.
2. Frutat e Pyllit. Dredhëzat, mjedra, boronica, manaferrat, të gjitha janë të preferuara nga konsumatori shqiptar. Çdo verë, nuk kemi të ngopur me këto fruta të shijshme e freskuese. Ato janë të mbushura me antioksidantë, vitaminë C dhe fibër. Frutat e pyllit kanë shumë vlera shëndetësore përfshirë aftësinë për të ulur rrezikun nga sëmundjet e Alzheimer, Parkinson dhe një sërë tumoresh. Për më tepër, ju mund të shijoni shumicën e këtyre frutave dhe në këmbim të merrni më pak se 60 kalori.
3. Patëllxhani. E gjejmë në treg gjatë gjithë vitit, por shija ndryshon në varësi të stinës. Sidomos në verë, patëllxhani ka një shije të pakrahasueshme. Studimet kanë treguar që patëllxhani ka një sërë përbërësish që mbrojnë membranën e qelizave nga dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira. Patëllxhanin mund ta gatuajmë me perime të tjera, mish pule dhe viçi. Mund të pregatisni edhe një panine me patëllxhan të grirë, të kombinuar me kërpudha “Portobello”, domate dhe djathë mozzarella.
4. Misri. Ka njerëz që mendojnë që misri nuk duhet konsumuar për shkak të kalorive të larta. Por kjo vlen vetëm nëse planifikoni ta konsumoni me shumë gjalpë ose yndyrë. Misri është i shijshëm në të gjitha recetat dhe kombinimet sidomos nëse hidhni pak lëng limoni të athët. Misri shijon shumë në sallata me fasule të zeza, domate dhe qepë të kuqe. Misri i ëmbël është i pasur me lutein dhe zeaxanthin, dy përbërës që promovojnë shëndetin e mirë të syve.
5. Kosi. Po, kosin e keni në frigorifer gjatë gjithë vitit dhe është një produkt që praktikisht nuk ka stinë. Por sa freskues që është në verë! Kosi është i pasur me kalcium, protein dhe probiotikë (që janë thelbësore për sistemin tretës). Ju mund të shijoni kombinime si kos me fruta pylli për mëngjes ose kos me perime për drekë. Çlironi fantazinë në kuzhinë. Me kosin mund të bëni çdo gjë!
6. Pjeshkat. Shumë konsumatorë mbajnë sytë nga tezgat në treg në pritje të pjeshkave. Janë fruti perfekt për çdo vakt, çdo rast e çdo vend. Pjeshkat janë një burim i shkëlqyer i vitaminës C. Ato ulin rrezikun e sëmundjeve si diabeti, sëmundjet metabolike dhe ato kardiovaskulare.
7. Kikirikët. Janë një “snack” fantastik gjatë gjithë vitit, por shijojnë shumë gjatë verës. Kikirikët përmbajnë doza të larta të yndyrnave të mira që i bëjnë mirë zemrës. Në fakt, më shumë se tetëdhjetë përqind e yndyrnave që gjenden tek kikirikët përbëhët nga yndyrna mono-të-pangopura dhe poli-të-pangopura që i bëjnë kikirikët ndër kokrrat më të shëndetshme për njeriun. Në 23 gramë kikirikë të pjekur gjenden 7 gramë proteina. Kombinimi i proteinave dhe yndyrnave do t’ju mbajë të ngopur për shumë kohë. Pjeshkat, frutat e pyllit dhe kikirikët nuk duhet të mungojnë kur niseni për udhë të gjata. Mund t’i merrni në plazh ose në daljet me miqtë.
8. Panxhari i kuq. Shijojnë shumë të kombinuara me djathin e dhisë. Janë të pasura me një përbërësish biologjikë të njohur si betalainë që ofrojnë mbështetje dhe ndihmë për organizmin në formën e antioksidantëve. Panxhari shërben si anti-inflamator. Ajo është një burim i shkëlqyer i fibrës, folatit, kaliumit dhe mangani. Është e vërtetë që gatimi i tyre mund të jetë pak i vështirë, por ia vlen mundi falë vlerave dhe shijes.
9. Kungujt. Janë perime me pak kalori. Një filxhan me kunguj ka vetëm 29 kalori. Kungujt janë një burim i pasur i fibrës që ndihmon kundër konstipacionin dhe ul nivelin e kolesterolit. Kungujt mund t’i kombinoni me kos, mund t’i piqni në furrë, t’i shërbeni me mish ose peshk por edhe të pregatisni makarona të shijshme.
10. Shalqini. Vera nuk ka kuptim pa shalqinin. Edhe pse 92 përqind e tij është ujë, shalqini përmban një sërë vlerash shëndetësore dhe përbërësish të rëndësishëm si lycopene dhe vitamina A, B6 dhe C. Një filxhan me shalqin përmban 40 kalori gjë që e bën atë ëmbëlsirën perfekte. Shalqini shijon shumë kur kombinohet me djathë feta por mos u kufizoni edhe në pregatitjen e kokteileve. Vera është një stinë plot gjallëri e ngjyra. E si të mos jetë nëse konsumojmë gjëra kaq të mira?!