“Fillojnë të më shfaqen netët e errëta dhe bisedat për ikjet nën krisma”

0
130

Nga Zoje Sadiku

Ka kohë që më përcjellë një fëmijë me sy të mëdhenj. Ai është në ëndrrat e mia, në rrugë teksa shkoj në punë, i ulur tek shtrati kur jam shtrirë, çdokund. Për çudi nuk frikësohem, mbase jam mësuar, ose nuk jam frikësuar as herën e parë, edhe pse nuk mbaj mend te ketë pasur një të tillë. Ndoshta ka qenë gjithmonë aty, por unë jam rritur dhe ai jo. Nuk e di! Madje edhe tani derisa po shkruaj, si gjithmonë ai është aty. Nuk bën asgjë. Nuk flet, vetëm shikon, prandaj më duket se ka kaq sy të mëdhenj! Është e vështirë të shohësh kaq shumë dhe të mos flasësh për asgjë. Ndonjëherë kur është i ulur luan këmbët, zakonisht në shtratin tim, sepse eshtë i lartë dhe pjesën e poshtme e ka të hapur. Është loja e vetme që bën. Pa e llogaritur, kur ndonjëherë ma kap dorën dhe e shtyp me gishtin e madh, pavarësisht sa i vogël është. Ai arrinë të m’i kujtojë shumë gjëra. Aq shumë sa nuk do ta besoja kurrë që dikush në moshën time ka kaq shumë kujtime! Nuk e di se si do të jetë kur t’i kem 50, e lëre më 80, kur do të shndërrohem në një vorbull kujtimesh dhe veç syve të lagësht, të përqendruar në një pikë s’do të kem më asgjë.
Kështu, sa herë që ai pa vetëdije e kap dorën time, sepse kur ai e bën këtë është duke shikuar diku gjetkë, unë e ndjej lëkurën e tij dhe gjithçka fillon të kthehet. Njëherë ngadalë e pastaj më shpejt, deri kur arrij të shoh dy këmbë të vogla tek ecin nëpër rrugët e shtruara me gurë të pafikësuar. Dy duar te vockla të skuqura, më duket nga i ftohti e të qarat e thella. Se ku shkoja! Më duket në shkollë, sepse me vjen po ajo aromë që vjen nga koka e tij. Aromë e dërrasave të vjetra të shkollës. E rrobave që nuk ndërroheshin përditë.
Nuk e di në është djalë apo vajzë. Flokët e tij janë diku në mes, as plotësisht të shkurtëra, por as të gjata jo. I mbyllë sytë dhe i shkoj gishtat në flokët e dendura…kështu i kisha edhe unë dikur. Ishte më e lehtë kështu, sepse nuk kisha prej atyre kapseve me ngjyra për t’i larguar nga sytë. Në fund të fundit, nuk e di në kisha ku t’i vendosja. Shtëpinë ende nuk e kishim ndërtuar që kur na e dogjën. Kështu kam menduar gjithnjë, kështu dua të mendoj ende. Me të shpejtë e heq dorën, sepse fillojnë të me shfaqen netët e errëta dhe bisedat për ikjet nën krisma. Atëherë mbyllja veshët me duar, ndërsa sot largohem, kaq progres kam bërë!
Por ata sy të mëdhenj të shkruar kanë fuqi më shumë se kaq. Pa mëshirshëm më sjellin një varg kujtimesh. Sapo ikën njëri vjen tjetri… Gjyshja me hallën tek kuvendonin për njërën nga ato ditët e krismave, fjalia e hallës “ma nxorrën prej gjinit” dhe ofshama e saj që ende sot më le pa gjumë. Më duket se gjithë jetën jam e dënuar t’i kujtoj këto vite të zymta, tek shihja të rriturit që vuanin, e kishin ende të freskët. Ishin vite me fjalë pak e me punë shumë, për ta hequr mendjen më duket.
Kam frikë, dua t’i harroj! Dua të largohem nga ky fëmijë! Por a është e mundur të largohesh nga vetja?