Fëmijët dhe mësimi për arkitekturën

Në vitin 2015, iniciativa edukative e një projekti lokal të quajtur “Arquitectura Para Niños” ose “Arkitektura për Fëmijët”, në Galica të Spanjës kishte organizuar një kurs arkitekturor për t’ua mësuar studentëve të klasës së katërt të shkollës fillore, më shumë këtë fushë.

Projekti u arrit me bashkëpunimin e nxënësve, mësuesve dhe prindërve, të cilët kishin qenë shumë interaktivë dhe të hapur ndaj kësaj ideje inovative.  Nëpërmjet përvojes praktike, fëmijët tani janë në gjendje të vëzhgojnë dhe të reflektojnë në përmbajtjen arkitektonike ndërsa mësojnë lëndë të tjera shkollore si shkencat natyrore, gjeografia, matematika apo gjuha angleze.

Programi u zhvillua për të adoptuar metodologjitë aktive të mësimit, për të inkurajuar fëmijët të mësojnë përmes aktiviteteve të dizajnuara dhe të eksplorojnë më shumë përmbajtjet specifike. Fëmijët mësojnë të menduarit kritik dhe bëhen më të vetëdijshëm për mjedisin e tyre, përmes lojërave udhëzuese dhe mësimeve, shkruan “Arch2o”.

Plani përbëhet nga shtatë njësi ku fëmijët eksplorojnë karakteristikat e materialeve, bëjnë vëzhgime rreth hapësirave dhe zbulojnë më shumë zonat ku jetojnë.

Shtatë njësitë që u mësohen fëmijëve janë:

Sjelljet e Kafshëve dhe të njerëzve

Fëmijët mësojnë gjithçka rreth ndërtimit të një strehimoreje duke përdorur një sërë shufrash dhe nyjesh për të kuptuar sistemet strukturore.

Strehimi

Çdo fëmijë ndërton një model të një shtëpie imagjinare nga një kuti kartoni duke përdorur letra me ngjyra, lapsa, gërshërë dhe ngjitës.

Antropometria

Masa dhe proporcioni: Fëmijët mësojnë rreth planifikimit dhe matjeve përmes proceseve të ndryshme si:

  1. a) Krijimi i një dhome standarde- ku secili fëmijë krijon një dhomë me një shkallë 1: 1 duke përdorur shirita me ngjyrë.
  2. b) Matjet- secili fëmijë përdor një shirit për masë, për të marrë masat e karriges dhe tavolinës që përdorin çdo ditë.
  3. c) Planifikimi i një dhome- secili fëmijë paraqet dyshemenë e dhomës në një rrjet prej 30 x 30 cm. Pastaj vendosin aspektet kryesore të dhomës së tyre të gjumit (dyert, dritaret, mobiljet) dhe regjistrojnë përmasat e tyre.

Shkallët dhe fjalori bazë arkitektonik

Fëmijët luajnë lojëra të ndryshme dhe ndërmarrin aktivitete për të mësuar fjalorin arkitekturor përmes

  1. a) Lojës me shkallë: ku secili fëmijë paraqet një figurë për të demonstruar madhësinë e duhur.
  2. b) Arkitektura për fëmijët: Çdo student shkruan një histori me një temë arkitekturore të titulluar “Shtëpia ime e preferuar” duke përdorur disa fjalë nga një listë e caktuar e fjalorit (të paktën 6 nga 30 fjalë).

Veglat e arkitektit

Modelet dhe planet: Në këtë sesion, fëmijët shkojnë nga planet në botën reale në një terren ku detyra e tyre është të identifikojnë objektet në plane dhe ato në realitet dhe pastaj të korrigjojnë planet për të përfshirë objektet tjera që më parë nuk gjendeshin nëpër fletët e planeve.

Vëzhgimet: Sesioni i grupit të ideve është ndërmarrë në një model të përditësuar të Plaza de Barcelos, ku secili student bën një listë të avantazheve dhe disavantazheve të hapësirës. Pastaj studentët lëvizin në një ushtrim të lidhur, ku gjatë dy javëve, ata punojnë individualisht në një propozim të ri për hapësirën.

Mjedisi

Janë mbledhur të gjitha propozimet individuale të bëra nga studentët për transformimin e mjedisit dhe aspektet më të shpeshta janë të kombinuara në përpjekjet për të zgjidhur problemet e hapësirave.

Projekti u zgjodh për programin shkencor “EducaBarrié” nga  viti 2014 deri në 2015 dhe u mbështet nga Fondacioni Barrié për tu konsideruar si model i ri i arsimit në shkollën publike në Galicia. Tani “Arquitectura Para Niños” po punon për zgjerimin e këtij projekti arsimor.