Europol: Tregtia e drogës u rrit gjatë pandemisë, sidomos në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë

0
63

Tregtia e paligjshme e narkotikëve lulëzoi gjatë pandemisë së koronavirusit, tha sot një specialist i Europol.

”Trafiku i kokainës nga Amerika e Jugut në Europë ka arritur shuma rekord”, tha Sascha Strupp, analist strategjik për trafikun e drogës në agjencinë e zbatimit të ligjit të BE.

“Koronavirusi nuk kishte ndonjë ndikim në kontrabandën përmes rrugëve detare”, shtoi ai.

Megjithëse ishte e vështirë të vlerësohej saktësisht se sa drogë ishte kontrabanduar, hetuesit panë një rritje në sasinë e drogës së konfiskuar.

Në gjysmën e parë të vitit 2020, më shumë se 25 000 kilogramë kokainë u kapën në portin e Roterdamit, më shumë se dyfishi i asaj që u gjet në të njëjtën periudhë të vitit 2019 – një vit në të cilin 34 000 kilogramët e kokainës së konfiskuar kishin qenë tashmë një rekord .

Policia holandeze muajin e kaluar gjeti laboratorin më të madh të kokainës të zbuluar ndonjëherë në vend, që përpunonte rreth 200 kilogramë kokainë në ditë, në qytetin Nijeveen, afër kufirit gjerman.

Sipas Europol, shumica e kokainës mbërrin në Europë përmes Holandës, Belgjikës dhe Spanjës.