Elezi thotë se procesi i rinumërimit të votave do të përfundojë së shpejti

0
49

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se si po ecën procesi i rinumërimit për vendvotimet për të cilat ka vendosur PZAP-ja.

“Në QNR, KQZ-ja është duke vazhduar të zbatojë vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të rinumëruar vendvotime të caktuara, ashtu siç ka vendosur ky institucion pas ankesave të kandidatëve të subjekteve të ndryshme politike. Gjatë ditës së djeshme kemi filluar me numërimin e votave me kusht dhe sot në mesditë kemi përfunduar me numërimin e votave që kanë ardhur nga jashtë vendit. Kështu ka qenë vendimi i PZAP-së që të rinumërohen vetëm votat e kandidatëve të subjektit politik AAK”.

Ai, në një konferencë për media, ka deklaruar se pritet që ky proces të përfundojë së shpejti, pasi bëhet fjalë vetëm për rinumërimin e votave të disa kandidatëve.

“Në përgjithësi janë 134 vendvotime për të cilat ka vendosur PZAP-ja që të rinumërohen dhe janë shtatë të tjera për të cilat ka vendosur KQZ-ja. Janë gjithsej 141 vendvotime të cilat do të rinumërohen në QNR. Ajo çka është e rëndësishme është se ky proces pritet që të përfundojë së shpejti, pasi bëhet fjalë vetëm për rinumërim të votave të kandidatëve të ndonjë subjekti politik. Kemi rinumërim të pjesërishëm dhe jo të plotë i cili do të merrte më shumë kohë”.