Ditëve në vijim mbetet mot më i ngrohtë, në fundjavë freskët

0
44

15.07.2020 – Dy ditëve të ardhshme mbetet mot më i ngrohtë. Të enjten në mes alternimesh të diellit dhe vransirave, e ditën e premte, turbullira nga Atlantiku verior, që po i afrohet rajonit, sjell shtim të vransirave, ndërsa orëve të pasdites me mundësi për ndonjë rrebesh shiu me bubullimë.
Në fundjavë sistemi frontal i turbullirës së Atlantikut, do të depërtojë mbi vendin tonë, ku do të kushtëzojë mot të paqëndrueshëm dhe të freskët. Temperaturat pritet të zbresin ndjeshëm nën vlera mesatare, e kohëpaskohe priten mundësi për reshje shiu.
Në fillim të javës së ardhshme, sipas parashikimeve të fundit, pritet të mbajë mot kryesisht me diell, derisa temperaturat do të shënojnë rritje graduale.
Indeksi i rrezeve UV mbetet në vlera shumë të larta, edhepse krahasuar me ditët e shkuara, në vlera diç më të ulëta, por që orëve të mesditës preferohet shmangia e qëndrimit më të gjatë në diell.

16.07 – Pjesërisht me diell, ditën edhe me vransira. Pasdite rreth viseve malore mundësi për ndonjë rigë lokale shiu.
17.07 – Paradite intervale me diell. DItën vransirat do të shtohen. Më vonë pasdite, mundësi për ndonjë rrebesh shiu me bubullimë.
18.07 – Më freskët, kryesisht me vransira. Ditën kohëpaskohe priten reshje të dobëta shiu, që pasdite vende-vende mund të shoqërohen edhe me bubullimë.
19.07 – Freskët, kryesisht me vransira. Ditën dhe në mbrëmje vende-vende mundësi për rrebeshe shiu.
20.07 – Kryesisht me diell. Në mëngjes freskët, gjatë ditës më ngrohtë.

Temperaturat minimale do të luhaten nga 14C deri 16C, e maksimale nga 26C deri 29C, e në fundjavë do të zbresin në 21C deri 23C.
Do të fryejë erë mesatare kryesisht nga verilindja 4-10m/s.
Shtypja atmosferike në fundjavë pëson rënie, e më pas pritet të rritet përreth vlerave normale./OxygenPress.info