Dita Botërore e Parandalimit të Abuzimit ndaj Fëmijëve

0
431

Abuzimi me fëmijët, përbën një problem alarmant dhe universal dhe është e nevojshme rritje e vëmendjes dhe mbrojtje efikase si dhe masa parandaluese në nivel familje por edhe lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në çdo 19 Nëntor, që prej vitit 2000, është dita për sensibilizimi e të gjithëve për parandalimin e abuzimit dhe keqtrajtimit të fëmijëve. Kjo ditë është vendosur si një alarm për të gjithë, që të luhet një rol më aktiv në promovimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve, si dhe parandalohet abuzimi me fëmijët.

Dhuna ndaj fëmijëve, një problem madhor i shëndetit publik kudo në botë, dhe me pasoja të rënda për gjatë gjithë jetës së fëmijëve të dhunuar, është një dukuri e parandalueshme. Por, për këtë është e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi i gjithësecilit dhe i shoqërisë si e tërë. Ndaj kjo datë është përcaktuar botërisht për të rritur ndërgjegjësimin e individëve, komuniteteve, shoqërisë dhe strukturave shtetërore për të parandaluar dhe ndaluar këtë fenomen.

Prevalenca e dhunës ndaj fëmijëve

Ndonëse në Shqipëri rastet e dhunimit të fëmijëve janë ende pak të raportuara, studimet e kryera në këtë fushë kanë treguar për një prevalencë të lartë të këtij fenomeni.

Kështu, sipas një studimi të realizuar nga UNICEF në vitin 2006, pjesa më e madhe e të rriturve besonin se dhuna fizike dhe psikologjike ka efekte pozitive në edukimin e fëmijëve edhe pse ishin gjithashtu të ndërgjegjshëm për pasojat negative të saj.

Sipas të dhënave të studimit, format më të përhapura të dhunës psikologjike kundrejt fëmijëve në shtëpi ishin: të bërtiturat (95.3%), fyerjet (39.5 %), kërcënimet (39.0 %), përdorimi i epiteteve denigruese dhe nofkave (35.8 %), kanosje me një objekt (18.0 %). Ndërsa format kryesore të dhunës fizike të raportuara nga fëmijet në shkollë/ shtëpi përgjatë vitit të fundit ishin: tërheqje e veshit (60.1%/38.5%), pickimi (55.7%/36.9%), goditja me një objekt (53.0%/51.8%), gjuajtja me shpullë (në fytyrë dhe në trup) (52.6%/34.3%), në kokë (49.2%/35.6%), shkulje flokësh (41%/29.7%), tërheqje me forcë dhe shtyrje (34.6%/39.1%); goditje me shkelma (26.8%/25.8 %).

Studimi i OBSH i vitit 2012 mbi ‘Përvojat negative gjatë fëmijërisë të të rinjve Shqiptarë’ gjeti se: Prevalenca e përgjithshme e dhunës fizike dhe seksuale gjatë 18 viteve të para të jetës ishte respektivisht 41.5% dhe 6%. Rreth 30% e studentëve të intervistuar raportuan se gjatë fëmijërisë kanë qenë dëshmitarë të dhunës së ushtruar ndaj nënës së tyre. Rreth 40% e tyre kanë kanë qenë ngacmuar nga shokët dhe janë përfshirë në konflikte fizike gjatë fëmijërisë.