Deklaratë e Kryetares së Kuvendit me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës

0
51

Sot në ditën e Evropës rikthejmë në kujtesë edhe një herë se sa e rëndësishme dhe produktive është paqja mes popujve e shteteve dhe orientimi drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Duke promovuar fillimisht bashkëpunimin tregtar e pastaj edhe diversitetin kulturor e etnik, Bashkimi Evropian u shndërrua në projektin që jetësoi zhvillimin ekonomik, krijoi mirëqenie për qytetarin dhe u shndërrua në entitetin që u bë sinonim i paqes dhe i stabilitetit në botë. Andaj, Kosova orientim të qartë strategjik e ka anëtarsimin në Bashkimin Evropian.

Jetësimi i vlerave që i ka mishëruar Bashkimi Evropian në themelet e tij janë sot po aq të rëndësishme sikurse edhe 70 vjet më parë. Por, mbajtja e popullit më proevropian, popullit të Kosovës, të izoluar është në kundërshtim me po këto vlera. Çdo skenar i pranuar për ndryshim kufijsh të vendeve që aspirojnë integrimin në BE është poashtu në kundërshtim me këto vlera. Shpresojmë që sot, 70 vite pas, e përherë në BE të mbizotërojnë mendjet e ndritura, sikurse ajo e Robert Schuman dhe të punohet për paqe, stabilitet e solidaritet e të bashkohemi kundër atyre që promovojnë urrejtje, ndarje e diskriminim!​