Biden: I gatshëm për masa të tjera nëse Rusia vazhdon përshkallëzimin

0
65

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden paralajmëroi Rusinë se ai është i gatshëm të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse Moska vazhdon të “ndërhyjë në demokracinë tonë”, duke mbetur me shpresë për përmirësimin e marrëdhënieve.

Paralajmërimi erdhi menjëherë pasi SHBA-ja vendosi sanksione për dhjetëra individë dhe kompani ruse dhe dëboi 10 diplomatë rusë si hakmarrje për përpjekjet e Kremlinit për të ndikuar në zgjedhjet e SHBA-së, si dhe për sulmin kibernetik të gjerë për të cilin SHBA-ja fajëson Moskën, në të cilën vlerëson se 16 mijë sisteme kompjuterike, përfshirë ato të agjencive federale, u prekën.

Biden tha se është “përgjegjësia e tij si president i SHBA-së të hakmerret nëse presidenti rus Vladimir Putin zgjedh përshkallëzimin, por pohoi se Uashingtoni “nuk po kërkon të nisë një cikël përshkallëzimi dhe konflikti me Rusinë”.

“SHBA-ja nuk po kërkon të fillojnë një cikël përshkallëzimi dhe konflikti me Rusinë. Ne duam marrëdhënie të qëndrueshme, të parashikueshme”, tha ai në Shtëpinë e Bardhë. “Gjatë gjithë historisë sonë të gjatë të konkurrencës, të dy vendet tona ishin në gjendje të gjejnë mënyra për të menaxhuar tensionet dhe për t’i mbajtur ato të mos përshkallëzohen jashtë kontrollit”, tha presidenti amerikan.

Biden theksoi se gjatë telefonatës të martën me Putinin ai ishte i qartë “se ne mund të kishim shkuar më tej, por unë zgjodha të mos e bëja këtë. Unë zgjodha të jem proporcional”.

“Gjatë bisedës me presidentin Putin, unë shpreha bindjen time se komunikimi midis nesh personalisht dhe drejtpërdrejt ishte për të qenë thelbësor që të ecim përpara drejt marrëdhënieve më efektive”, deklaroi Biden.

Në kuadër të kësaj përfshihet propozimi që Biden bëri për të mbajtur një samit në Evropë këtë verë ku udhëheqësit mund të shprehin dallimet e tyre dhe të punonin në fushat e bashkëpunimit.