“Besë” dhe “Teshavesha” sjellin koleksion të ri për të ndihmuar nënat dhe fëmijët

0
186

Gjatë ditës së djeshme është lansuar  linja për gra shtatzëna e dizajnuara nga kreatorja në New York “Besë” për dyqanin e bamirësisë Teshavesha, lansim ky i cili u mbajt në formë të koktelit në Besë Studio.

Linja e rrobave për gra shtatzëna është prodhuar duke përdorur materiale me përbërje organike në mënyrë që të jenë sa më e rehatshme dhe të shëndetshme për nënën.  Ky koleksioni i veshjeve është i përshtatshëm për veshje gjatë shtatzënisë, mirëpo edhe për gra jo-shtatzëna.

‘’Është ndjenjë e jashtëzakonshme të krijosh vlerë për komunitetin përmes artit. Zhvillimi i kreacioneve për gra shtatzëna ka qenë një proces shumë frymëzues për ne duke gërshetuar nevojën e tregut me kauzën humanitare për shëndet më të mire të grave në Kosovë. Ne sot mezi presim të ndajmë punën tonë me komunitetin”, tha kreatorja Besa Neziri Rugova.

Fondet e mbledhura nga shitja e këtij koleksioni do të financojnë programet të cilat ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve në Kosovë. Përmes këtyre fondeve do të mundësohet blerja e medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore, zhvillimi i sistemit të referimit neonatal dhe zhvillimi i qendrave informuese për shëndetin e gruas “Klasat për Nëna”.

Ambasadore e linjës besë x teshavesha është modelja e mirënjohur, Diellza Kolgeci, e cila si nënë në pritje, iu bashkua fushatës me shumë entuziazëm dhe përkushtim për të ndihmuar nënat dhe fëmijët në vend.

“Të jem pjesë e kauzave humanitare si kjo, me bën të ndihem e lumtur dhe me fat që kam fuqinë dhe vullnetin të ndihmojë të tjerët. Ketë 8 Mars po e festojmë së bashku duke ju sjellë diçka të bukur dhe unike, dhe në të njëjtën kohë duke ndihmuar në shpëtimin e jetëve të nënave dhe foshnjave në Kosovë”, theksoi Kolgeci. /Kult/OxygenPress.info