B1525: Varianti i ri i Covid shqetëson ekspertët dhe kërkojnë studim urgjent

0
95

Një variant tjetër i koronavirusit me një grup potencialisht shqetësues mutacionesh është zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar për të cilin ekspertët kanë kërkuar studim urgjent.

Varianti, i njohur si B1525, është subjekt i një raporti nga studiuesit në Universitetin e Edinburgut, të cilët thonë se është zbuluar përmes studimit të gjenomit në 10 vende përfshirë Danimarkën, SHBA-në dhe Australinë dhe 32 raste të gjetura në Mbretërinë e Bashkuar deri më tani. Sekuencat më të hershme datojnë në dhjetor.

Ekipi i studiuesve thotë se varianti ka ngjashmëri në gjenom me variantin e Kentit, B117, dhe përmban një numër mutacionesh që kanë shqetësuar studiuesit, duke përfshirë mutacionin E484K në proteinën “spike” – një proteinë që gjendet në pjesën e jashtme të virusit dhe luan një rol të rëndësishëm për të ndihmuar virusin që të hyjë në qeliza.

Ky mutacion E484K është i pranishëm në variantet që u shfaqën në Afrikën e Jugut dhe Brazil dhe mendohet se e bën virusin më të aftë të shmangë antitrupat neutralizues të prodhuar nga trupi.

Dr. Simon Clarke, një profesor i asociuar i mikrobiologjisë qelizore në University of Reading, tha se teksa është e paqartë se çfarë efekti mund të kenë shumë prej mutacioneve në aftësinë e koronavirusit për të krijuar infeksion, ose në ashpërsinë e sëmundjes, prania e mutacionit E484K në variantin e Afrikës së Jugut njihet për shkallën e rezistencës ndaj vaksinave.

“Ne nuk e dimë ende se sa shumë do të përhapet ky variant [i ri], por nëse përhapet me shpejtësi mund të supozojmë se imuniteti nga çdo vaksinë ose infeksion i mëparshëm do të zbutet,” tha ai.

Burimi: Guardian