Azerbajxhani padi kundër Armenisë për Nagorni-Karabahun

0
63

Azerbajxhani ka ngritur një padi kundër Armenisë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, ku akuzon Erevanin për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë pushtimit gati 30-vjeçar të rajonit të shkëputur të Nagorni-Karabahut, sipas radios “Europa e lirë”.

Anëtari i komitetit parlamentar të Azerbajxhanit për politikat e legjislacionit, Kamal Cafarov, tha dje se Bakuja gjithashtu akuzoi Erevanin për mosmarrjen e masave për të zbuluar fatin e rreth 3 800 azerëve, të cilët u zhdukën gjatë luftës mbi rajonin e shkëputur, në vitet ‘90.

Për më tepër, në procesin gjyqësor Azerbajxhani ngriti çështjen e përdorimit të supozuar të Armenisë të raketave balistike, fosforit të bardhë dhe municioneve thërrmuese gjatë bombardimeve të qyteteve dhe fshatrave të Azerbajxhanit, vitin e kaluar.

Sipas Bakusë, një bombardim i tillë rezultoi në vdekjen e 93 civilëve, përfshirë 12 fëmijë dhe 28 gra, ndërsa 423 civilë u plagosën dhe 264 blloqe apartamentesh dhe 9 294 shtëpi private u shkatërruan.

Palët ranë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia më 10 nëntor, duke rezultuar në vendosjen e 2 000 forcave paqeruajtëse ruse në zonën e konfliktit.

Erevani nuk e ka komentuar ende zyrtarisht këtë padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut./ATSH