Astma, si ta parandalojmë dhe kurimi

0
400

Astma është një sëmundje kronike. Ajo karakterizohet nga sulme të përsëritura të vështirësisë në frymëmarrje dhe fishkëllimës gjatë saj. Tek individët e sëmurë, simptomat mund të shfaqen disa herë në ditë apo javë, kurse për disa njerëz ato mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik ose gjatë natës.
Format e astmës
Ekzistojnë dy forma të astmës: astma alergjike është forma më e zakonshme (90% e të gjitha rasteve) dhe zakonisht zhvillohet në fëmijëri. Përafërsisht 80% e fëmijëve me astmë gjithashtu vuajnë nga një alergji. Zakonisht pacientët kanë histori familjare për alergji, apo kanë të pranishme dhe të tjera, si alergji e hundës ose ekzemë. Astma alergjike shpesh në moshën e rritur mund të kalojë, por megjithatë në 75% të rasteve rishfaqet më vonë.
Forma e dytë, jo alergjike, haset në rreth 10% të rasteve. Kjo zakonisht zhvillohet pas moshës 30 vjeç dhe zakonisht nuk është e lidhur me shkaqe alergjike. Më shpesh preken gratë, të cilat bëjnë infeksione të traktit respirator.
Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e astmës
Gati gjysma e të rriturve që kanë astmë vuajnë edhe nga alergjia, e cila në më të shumtën e rasteve e ka origjinën nga fëmijëria.
Te pacientët, ku astma shfaqet në moshë të madhe, zakonisht faktori alergji nuk luan ndonjë rol kryesor.
Disa nga faktorët kryesorë që shkaktojnë alergjitë janë:
– Pluhuri i shtëpisë, i cili zakonisht përmban enzima me alergjenë të fuqishëm. Pikërisht ky është edhe shkaku kryesor i alergjive në ambientet e shtëpisë.
– Kafshët shtëpiake
– Poleni. Një krizë astme nga alergjia e shkaktuar prej polenit ka më shumë të ngjarë që të ndodhë gjatë ndryshimeve dhe aktiviteteve drastike atmosferike, të tilla si rrufetë.
– Myku. Sipas një studimi të vitit 2002, myku mund të shkaktojë krizat më të rënda të alergjisë te personat e rritur, në krahasim me alergjenët e tjerë.
– Kërpudhat. Furrtarja e zezë. Është një nga shkaqet kryesore të astmës dhe mund të shkaktojë probleme të rënda në funksionimin e mushkërive edhe te personat që nuk kanë probleme astmatike.
– Karburantet. Disa lloje karburantesh mund të jenë shkaqe alergjish. Mendohet se lëndët djegëse të përpunuara, të tilla si vajguri, për shembull, janë shkaqe alergjish.
Mjekimi
Masat parandaluese të sulmeve astmatike përfshijnë mënjanimin prej të gjithë shkaktuesve të mundshëm. Lëngjet e frutave dhe çajet e shumëllojshme me prejardhje bimore japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet.
Bimët
Një bimë mjaft frytdhënëse në luftën kundër kollës së shkaktuar nga mushkëritë është lulëkuqja. Nga kjo bimë përdoren vetëm petalet e saj. Çaji i lulëkuqes pihet i ëmbëlsuar me mjaltë.
Çokollata
Merita i takon teobrominës, një substancë që ndodhet në farat e kakaos, e cila ka rezultuar më efikase se kodeina, një nga qetësuesit më të mëdhenj të kollës kronike.
Problemet
Të sëmurët astmatikë vuajnë zakonisht në mbrëmje, si dhe gjatë natës. Vuajtja më e theksuar nga astma është te njerëzit me gjoks të ngushtë ose deformime, nga të cilat te këta njerëz shkaktohen edhe shtrembërime të shpinës.
Këshilla parandaluese
-Qëndroni në vende të ajrosura mirë
-Eliminoni lagështirën, sidomos në dhomat e gjumit
-Eliminoni ambientet e paajrosura mirë dhe me myk
-Ushqeni me gji fëmijët, të paktën deri në moshën 1 vjeç
-Shmangni sterilitetin e tepruar në rritjen e fëmijëve
-Shmangni mbipërdorimin e detergjenteve
-Shmangni përdorimin e ushqimeve që përmbajnë alergjenë
-Shmangni ekspozimin ndaj poleneve të luleve
-Gratë shtatzëna nuk duhet të qëndrojnë në ambiente me tym duhani
-Fëmijët e vegjël nuk duhet të qëndrojnë në ambiente ku pihet duhan
-Ndjekja te mjeku specialist dhe zbatimi me përpikëri i rekomandimeve të tij