Anesteziologët e QKUK-së shënojnë ditën e tyre, Zemaj i quan “ringjallësit” e pacientëve

0
174

Anesteziologët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Anestezisë me një takim të organizuar nga Asociacioni i Anesteziologëve të Kosovës ku mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.

Kryetari i Asociacionit Dr. Lulzim Emini, ka hapur këtë takim me një prezantim ku ka folur për historinë e zhvillimit të anestezionit. Ai ka thënë se anestezioni me ‘Etër’ ka filluar të përdoret për herë të parë nga William Thomas Green Morton më 16 tetor të vitit 1846 në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts në Boston, SHBA.

“Për amputime pacientët janë trajtuar duke u mbajtur nga 10 veta si anestezionit. Faza e dytë, pacientët janë ngulfatur derisa iu ka humbur vetëdija dhe pastaj është kryer amputimi. Ndërkaq më vonë në vitin 1846 është kryer anestezioni i parë me Etër”, ka thënë Emini.

Tutje Emini në prezantimin e tij ka thënë se sot përmes teknologjisë dhe aparaturave në sallat e operacionit falë anestezionit, pacientët nuk përjetojnë vuajtje dhe dhimbje.

Anesteziologu ka folur edhe për zhvillimin e anesteziologjisë në Kosovë ku ka thënë se për herë të parë anestezioni është aplikuar në vitet e 70-ta, ndërsa mjekët e parë janë nga viti 1984 me Dr. Sokol Hajdinin, Qamile Morina, Shpëtim Robaj, Zana Bukoshi, etj.

Emini ka treguar për themelimin e Katedrës së Anestezionit në Universitetin e Prishtinës në vitin 2007, si dhe ka folur për sukseset ndërkombëtare të Asociacionit.

Në anën tjetër ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj i ka uruar anesteziologët për ditën e tyre.

“Jashtëzakonisht falënderues për punën shumë të ndjeshme të anesteziologëve, apo ndryshe siç quhen ringjallesit, të cilët janë përgjegjës për jetën dhe shëndetin e pacientit, që gjatë operacioneve administrojnë sasinë e saktë të anestezisë, monitorojnë shenjat jetësore të pacientit, e në këtë mënyrë mundësojnë operacione pa dhimbje”, ka deklaruar Zemaj.

Anesteziologët i ka përgëzuar për punën e tyre edhe drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi, si dhe drejtori i Klinikës së Anestezionit në QKUK Dr. Nehat Baftiu. /Gazeta Shneta/