A ekziston “paranoja e shëndetshme”?

0
244

Me paranojë ne kuptojmë një gjendje të karakterizuar nga deluzione, xhelozi të pajustifikuar ose vetë-rëndësi të ekzagjeruar. Në një shpjegim më të shkurtër mund ta quajmë thjesht “dyshimin dhe mosbesimin e pajustifikuar ndaj njerëzve të tjerë”. (via Oxford Languages)

Bazuar në këtë përkufizim paranoja nuk duket se sjell ndonjë të mirë e megjithatë, ekpertët ngrenë pyetjen:

“Kur një gjë e mirë është shumë, më shumë seç duhet, mund të jetë e keqe, por po në rastet ku ka pak fare nga një gjë e keqe? A ekziston diçka si ‘paranoja e shëndetshme’?”

Përveç rasteve klinike, ne mund të vëzhgojmë paranojë në çdo ditë në jetën e përditshme. Në një masë më të madhe ose më të vogël, të gjithë ne përjetojmë ndjenja paranojake me raste, për arsyen e thjeshtë se frika dhe dyshimet shërbejnë për disa funksione mjaft të dobishme. Në mënyrë tipike, paranoja fillon kur ndodh diçka shqetësuese ose e papritur – pushimi nga puna i një shefi, humbja e një kolegu të ngushtë, thashethemi se po pushohen njerëz nga puna.

Ngjarje të tilla krijojnë pasiguri dhe ne merremi me të panjohurën duke u përpjekur t’u japim kuptim ngjarjeve. Ky përpunim mendor vë në lëvizje një reagim të zakonshëm psikologjik të njohur si “hipervigjilencë”. Papritmas, për të kuptuar gjërat, ne fillojmë t’i kushtojmë vëmendje të madhe gjithçkaje që ndodh përreth nesh.

Cilado qoftë situata, çdo fjalë dhe veprim i vogël duket se është i pajisur me domethënie personale. Sa më shumë që shqetësohemi, aq më shumë vërejmë. Dhe sa më shumë që vërejmë, aq më shumë shqetësohemi.

Sigmend Freud thoshte:

“Personi paranojak nuk projekton në qiell, por mbi diçka që është tashmë atje”.

Me fjalë të tjera, në vend që të jetë “i çmendur”, individi paranojak – veçanërisht dikush që është paranojak me maturi – është në të vërtetë një vëzhgues jashtëzakonisht i mprehtë dhe shpesh depërtues, sipas Freud.

Megjithatë, shkencërisht ky nuk është gjithnjë rasti, ndonëse paranoja në nivele që nuk konsiderohen problematike ose që njihet ndryshe si “paranoja e matur” mund të jetë një shenjë e inteligjencës së lartë emocionale.

“Paranoja e shëndetshme ose ankthi i shëndetshëm mund të na mbajnë të vetëdijshëm dhe vigjilentë si një mekanizëm mbrojtës, duke mbrojtur veten nga kërcënimet e mundshme”, shprehet Adam Borland, psikolog klinik.

Ai rikujton se si e pajisi shtëpinë me maska dhe letër higjienike, që në periudhën kur as nuk diksutohej se kishim të bënim me një pandemi – si një shembull të “paranojës së shëndetshme”.

Edhe studiuesit në Universitetin e Cambridge, për shembull, kanë zbuluar se shqetësimi për ndryshimin e klimës ka çuar në ndryshime të sjelljes që mund të çojnë në zgjidhjet e vetë problemit.

Sidoqoftë, duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të kuptojmë se paranoja mund të na çojë në një vend ku ato ndjenja mund të bëhen problematike. Është e rëndësishme, të mos kalojmë limitet dhe të dimë se çfarë është dhe nuk është e vërtetë, çfarë po ndodh aktualisht dhe çfarë po ndodh vetëm në mendjen tonë.

Burimi: Harvard Business Reviews, CNN, Oxford Languages, Anabel