2 dhjetori, ditëlindja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova

Sot është ditëlindja 74-të e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidenti Ibrahim Rugova ishte bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte levizja e parë demokratike gjithë popullore ne Kosove qe udhehoqi popullin e Kosovës drejt rrugës për Liri, Pavaresi e Demokraci dhe qe më vonë do te transformohej ne Parti Politike dhe Rugova ishte kryetar i saj qe nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur nderroi jetë.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.

Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Për të nderuar veprimtarinë e ish-presidentit Rugova, kryesia e LDK-së do të bëjë homazhe tek varri i tij në Velani.