“10 MASAT MË URGJENTE TË QEVERISË KURTI”

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)ka mbajtur  Konferencën për Media ku u prezantuan vlerësimet dhe propozimet mbi temën: “10 masat më urgjente të Qeverisë Kurti”.

Qeveria Kurti pritet të ballafaqohet me një numër çështjesh të rëndësisë së lartë, që nga dialogu Kosovë-Serbi dhe pozita e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar e deri te ristrukturimi i përbërbërjes dhe organizimit të qeverisë, reformës së administratës publike, reformës në drejtësi, reformës së agjendës evropiane. Në këtë konferencë për media, GLPS ka renditur 10 masat më urgjente që Qeveria Kurti duhet të ndërmarrë në fillim të mandatit të saj.

  1. Dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë të mbetet prioritet i Qeverive në vend, pavarësisht gatishmërisë apo preferencës së tyre për ta trajtuar apo jo atë si të këtillë. Në këtë drejtim, Qeveria Kurti duhet të ndërmarrë menjëherë hapat e duhur për të prodhuar pajtueshmëri të gjerë politike ndërmjet të gjitha grupeve parlamentare me qëllim të unifikimit të pozicioneve negociuese të Kosovës në raport me Serbinë. Për të bërë këtë, kjo qeveri duhet ta trajtojë nevojën për krijimin e një grupi punues gjithëpërfshirës, në të cilin ftohen të marrin pjesë aktivisht përfaqësues të lartë të të gjitha partive parlmentare. Qëllimi kryesor dhe i vetëm i tij duhet të jetë që nëpërmjet konsultimeve gjithëpërfshirëse të përcaktojë dhe përpilojë parimet dhe kufizimet e kornizës negociuese/platformës që rregullon pozicionet negociuese të Republikës së Kosovës në dialog. Në të njejtën kohë, Qeveria Kurti menjëherë duhet të definojë kuptimin, përmasat si dhe metodat e politikave reciproke karshi shtetit serb, sidomos në rrafshin politik. Ngjashëm, duhet ta qartësojë propozimin për dialog të brendshëm me komunitetin serb në kuptim të modelit të tij, kornizës përmbajtësore dhe afatit kohor. Qeveria Kurti duhet ta ketë parasysh që presioni për të rifilluar dialogun do të rritet ndjeshëm pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, në fund të muajit mars.

  1. Duke marrë shkas performancën e dobët të diplomacisë kosovare dhe dëmet e mëdha që ajo i ka shkaktuar pozitës ndërkombëtare të Kosovës, Qeveria Kurti duhet menjëherë të ndërrmarrë masat e nevojshme që i shërbejnë rimëkëmbjen së Kosovës në këtë rrafsh. Ajo duhet menjëherë të rivendosë dhe forcojë bashkëpunimin diplomatik me partnerë strategjikë, të shqyrtojë forma të bashkëpunimit me vendet të cilat e kanë njohur Kosovën por me të cilat Kosova nuk ka vendosur marrëdhenie të plota diplomatike, dhe urgjentisht të përpilojë një strategji kombëtare e cila i kundërpërgjigjet agresionit diplomatik serb, të manifestuar me çnjohje. Si rezultat, Kosova duhet të ripërtërijë interesimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, prej të cilave si qëllim fillestar duhet të jenë INTERPOL-i, UNESCO, Këshilli i Evropës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).

  1. Institucionet vazhdimisht janë kritikuar me të drejtë nga shoqëria civile për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies publike. Prandaj, Qeveri Kurti, si përgigje ndaj këtyre kritikave duhet të instalojë, zbatojë dhe respektojë përgjatë gjithë mandatit parimet themelore të doktrinës së Qeverisë së Hapur (Ang: Open Goverment). Parimet e kësaj doktrine janë transparenca, integriteti, llogaridhënia dhe pjesëmarrja gjithëpërfshirëse. Në praktikë kjo do të thotë që çdo vendim, masë, diskutim, ose qëndrim zyrtar duhet të jetë i qasshëm pa vonesë për publikun, në format të përshtatshëm për të, sidomos për mediet dhe shoqërinë civile si dy forcat kryesore përfaqësuese të opozitës civile. Këto parime duhet të respektohen duke filluar nga publikimi i planit dhe planprogramit të Qeverisë, sikurse është premtuar në ditën e votimit të saj.

  1. Reforma e administratës publike vazhdon të cilësohet si një nga prioritet përcaktuese të Kosovës. Vlerësim të tillë ndajnë si misionet ndërkombëtare ashtu edhe organizatat e shoqërisë civile. Në këtë drejtim, Qeverisa Kurti duhet të ndërmarrë katër hapa konkret. Hapi i parë, të fillojë racionalizimin e agjencive të pavarura brenda tre muajve të parë të mandatit. Hapi i dytë, të rishikojë sistemin e pagave të shërbyesëve civil, sistem ky i cili duhet të jetë në linjë me parimin “paga e njejtë për punën e njejtë”. Duke qenë se mbetet i paqartë se cili do të jetë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese mbi (jo) kushtetueshmërinë e Ligjit për Paga në Sektorin Publik, Qeveria duhet të jetë e gatshme që të bëjë të gjitha ndryshimet në kuadër të ligjit në fjalë. Ndryshime këto në përputhje me parimin e lartpërmendur dhe me qëndrueshmërinë buxhetore të Kosovës. Hapi i tretë, të rishikojë dhe vlerësojë integritetin profesional të shërbyesëve civil të nivelit menaxherial (p.sh. sekretarë, drejtorë të departamenteve) në të gjitha institucioneve përkatëse. Hapi i katërt, të procedohet për miratim projektligji për Qeveri.

  1. Në përputhje me premtimin qendror elektoral për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Qeveria Kurti duhet menjëhere të fillojë reformat në sektorin e drejtësisë përmes vetingut. Ky proces duhet të përfshijë sistemit gjyqësor dhe atë prokurial të Kosovës, si dhe duhet fillimisht të prek pozitat e larta drejtuese të tyre. Vetingu duhet të bazohet në tre elemete vlerësuese kyçe; 1) integritetin profesional, 2) përgatitjen profesionale dhe 3) raportin me grupe politike ose kriminale. Qeveria Kurti duhet të sigurohet që planifikimi dhe hartimi i procesit të vetingut të bëhet me përfshirje të shoqërisë civile dhe elementeve të caktuara ndërkombëtare.

  1. Qeveria Kurti duhet të prezantojë një mekanizëm të mbikqyrjes efektive të punës së ministrave, nëpërmjet hartimit të një sistemi të track-record. Ky sistem do të ofronte pasqyrë të përditësuar të punës së ministrave në raport me objektivat e vendosura në fillim të mandatit, si dhe të rolit dhe përgjegjësive të tyre. Kjo nuk është bërë nga asnjë qeveri deri më tani. Shpesh, e më së shumti përgjatë qeverisë së fundit, puna e ministrave ka qenë pothuajse e pa mbikqyrur, gjë e cila ka bërë që ministrat të ktitikohen vetëm në rast të zbulimit të ndonjë skandali institucional, por asnjëherë për shkak të performancës së dobët. Mbikqyrja e punës së ministrave do të rriste përgjegjësinë, profesionalizmin dhe performancën e tyre gjatë mandatit.

  1. Duke qenë dëshmitarë të Qeverisë paraprake, e cila në shumicën e rasteve emërimet e larta politike dhe institucionale i ka bërë pa asnjë kriterë profesional duke zhvlerësuar kështu rolin dhe përgjegjësinë e pozitave të tilla të rëndësishme, Qeveria Kurti menjëherë duhet të ndryshojë këtë praktikë. Prandaj, emërimet e larta, sikurse zv. ministrat, këshilltarët politik, dhe sekretarët e përgjithshëm, Qeveria Kurti duhet t’i bëjë në bazë të kritereve të larta të përgatitjes dhe integritet profesional.

  1. Me të marrë vendimin për largimin e tarifës kundër mallrave serbe, e cila ka qenë shkak për pezullimin e negociatave të Bashkimit Evropian (BE) me institucionet vendore për ERA 2, Qeveria e re menjeherë duhet të tregojë gatishmëri për të filluar negociatat me BE-në për pakon ERA 2. Pastaj të fillojë zbatimin sa më të përpiktë të saj.

  1. Qeveria e re duhet të zhvillojë dhe të prezantojë sa ma parë një plan ekonomik që në thelb ka rritjen e konkurueshmërisë së prodhuesit vendor dhe nxitjen e zhvillimit të bizneseve të vogla dhe të mesme. Në të njejtën kohë, menjëherë duhet të fillojë analizimin dhe vlerësimin e gjendjes dhe kapaciteteve të ndërmarrjeve publike, si dhe t’i ristrukturojë ato sipas të gjeturave. Qeveria e re gjithashtu duhet t’i rishikojë të gjitha licencat dhe lejet ekonomike për të cilat ka dyshim të bazuar se mund të jenë lëshuar falë keqpërdorimeve. Shembuj në këtë rast përbëjnë terminalet doganore dhe lejet për homologim të automjeteve, të cilat shpesh kanë qenë pjesë e diskutimit publik se si individë të caktuar të afërt me grupe politike në pushtet kanë përfituar në këmbim të favoreve finaciare dhe/ose politike.

10.Qeveria Kurti duhet të udhëhiqet nga politika ekonomike që në qendër kanë grupet më të brishta socio-demografike, e të cilat janë më të prirura për migrim – sikurse janë të rinjtë dhe individët me të ardhura të ulta mujore. Në të njejtën kohë duhet përdorur një qasje regjionale në përpjekjet për të zvogëluar migrimin, kjo duke pasur parasysh se disa regjione janë më të prirura për migrim në krahasim me të tjerat. Qeveria e re poashtu duhet të prioritizojë politika të punësimit të cilat u përgjigjen grupeve demografike të cilat kanë vështirësi të akomodohen në tregun e punës, duke u ofruar atyre trajnime dhe stimulime për punësim dhe ndërmarrësi.