Rrëfimi i Hisen Berishës për luftën, për kufijtë, për dallimet politike dhe shumëçka tjetër

0
985

Ai ishte komandant i luftës në Batalionit I të Brigadës “Agim Ramadani” në betejën e Koshares. Të gjithë e njohin me beretën e kaltër dhe energjinë e tij të madhe në atë kohë.

Kishte studiuar në Prishtinë por iku nga regjimi serb në Shqipëri, e nga atje sërish u kthyer në luftë.

20 vjet pasluftës, ai thotë se nuk e keqpërdori kurrë faktin që ka qenë pjesë e UÇK-së dhe beson se brenda veteranëve, që sipas tij, mund të jenë edhe 100 mijë, duhet kategorizuar, kush ishte në zonë lufte e kush jo.

Hisen Berisha në emisionin OXYGEN ka rrëfyer për jetën e tij, për luftën e ka folur edhe shërbimin e obliguar ushtarak që është përmendur nga Albin Kurti, tashmë kryeministër i Kosovës.

Berisha flet për minishengenin dhe për kufijtë, e këta të fundit thotë se nuk duhet ndryshuar në asnjë formë dhe se duhet shpjeguar SHBA-së që ne po punojmë për të mirën e vendit.

Kur flet për luftën thotë se e ka ndjerë obligim moral.

“Në historitë e luftërave nuk lufton i gjithë populli por në popujt më atdhetar deri në 4%. Në Kosovë janë kanë 1%. I tërë populli e përjeton luftën, në forma të ndryshme. Një njeri që të jep ujë, bukë dikush që të informon diçka të gjithë e mbështesin luftën në një formë apo tjetër. Edhe 100 mijë nëse janë, nuk janë shumë, por duhet kategorizuar brenda veteranëve. Ata që janë luftëtarë të vijës së frontit, ata në zonën e luftimit, dhe ata jashtë zonës. Shoqëria në përgjithësi ka faj dhe që nuk është bërë Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës”, thotë Hisen Berisha.

Shpjegon edhe çfarë ishte në atë kohë FARK-u dhe nëse kishin dallime mes vete.

“Ata që kanë deficit në kontributin e tyre në luftën e Kosovës, tendenca për të na përçarë në dy taborë në kohën e luftës ka qenë e dikujt nga jashtë, ka ekzistuar në Tiranë edhe deri në perëndim, por në vija të frontit asnjëherë. I vetmi dallim që ka ekzistuar në mes luftëtarëve ka qenë vija e mobilizimit. Kjo nënkupton, ministria e mbrojtjes ka ekzistuar, ministër ka qenë Ahmet Krasniqi, ka pas shumë oficerë aty, dhe dikush është mobilizuar në këtë vit ë ministrisë së mbrojtjes, dhe kush ka dal nga aty e ka pasur këtë stemë të UÇK-së. Një kategori e të rinjve janë mobilizuar nga vija e shtabit të përgjithshëm dhe e lëvizjes që është quajtur atëherë që janë quajtur guerila, kur e kanë vesh uniformën dhe janë dal e kanë vendosur këtë stemë. Dhe kur kemi dal në vijën e frontit kemi pas një uniformë, një stemë dhe përballë kemi pas një armik. Kemi pas veç një parti UÇK-ja, kemi pas një politik – lufta për me çliru Kosovës, të tjerat janë spekulime”, thotë Hisen Berisha.

Kur flet për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ai thotë se një ushtarë profesionist tash nga avancimi i teknologjisë kushton 10 mijë euro.

 “Plani është tre muaj, aty mësojnë vetëm gjerat elementare, nuk do të kemi profesionist me 3 muaj shërbim. Dhe në fund të 10 viteve, ka 30 mijë ushtarë në vit, do t’i kemi 300 mijë ushtarë bazik që nuk do të jenë në gjendje me mbush as fushën e parë të misionit mbrojtjen e integritetit territorial”, thotë ai.

Berisha thotë se kjo nuk është analizuar mirë. Sipas tij, duhet synimi në NATO, në cilën kontribuojmë dhe jemi të mbrojtur.

Hisen Berisha ka folur edhe sa luftëtarë kanë qenë në Koshare.

Ai thotë se me krejt shërbimet, kanë qenë 250 pjesëtarë.

Berisha ka folur edhe për trofetë që ua ka dorëzuar dy presidentëve, atij të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe atij të Shqipërisë, Sali Berisha.

Trofe në luftë nënkupton një pajisje që merr nga armiku dhe i dërgon komandantit të ushtrisë, që është presidenti.

Ndërsa, thotë se ka respektuar dhe përkrahur filozofin politike të Ibrahim Rugovës.

Hyrjen e tij në PDK thotë se e bëri për shkak të hapësirës që ju ofrua. Berisha thotë se ka një politik ndryshe të politik bërjes dhe se gjithmonë interes të parë e ka atë të shtetit.

Hisen Berisha thotë se në dialog me Serbinë duhet vendosen njerëz me dije shkencore, që dinë të kërkojnë dhe të flasin, e jo sipas tij, vetëm me PO dhe JO.

Ai thotë se dialogu duhet të vazhdojë por që kufijtë duhet të jenë ata kur na ka njohur SHBA-ja.

Të tjera detaje për jetën e tij mund t’i shikoni në Oxygen Press në rrjetin social facebook./Oxygenpress.info