Pse po regjistrohen 45,000 njerëz në një ‘konkurs’ për të vrarë këto kafshë?

0
256

Mijëra amerikanë kanë aplikuar në një llotari me shpresën për të fituar një shans për të qëlluar bizonë në Grand Canyon, Arizona. Mbi 45,000 aplikantë garuan për vetëm 12 vende të reklamuara nga Shërbimi i Parkut Kombëtar të SHBA-së. Ata do të ndihmojnë në vrasjen e kafshëve pasi shërbimi raportoi se popullata e tyre ishte bërë shumë e madhe.

Zyrtarët pretendojnë se bizonët kishin shkelur burime arkeologjike dhe të tjera. “Vullnetarëve të aftë” iu kërkua të qëllonin dhe të vrisnin bizonë për të parandaluar dëmtimin e mjedisit. Por ngjarja nuk po klasifikohet si një gjueti pasi nuk përfshin atë që ata e quajnë një “ndjekje të drejtë”. Gjuetia është e ndaluar brenda parqeve kombëtare, por agjensia ka autoritetin të vrasë kafshë që dëmtojnë burimet, duke përdorur stafin e parkut ose vullnetarët.

Pavarësisht se kjo punë kërkon ngjitjen në një lartësi prej 2438 metrash dhe vështirësi të tjera, njerëzit janë entuziastë për të marrë pjesë. Dikush tha se “po lutet që të jetë një nga 12 të përzgjedhurit”, ndërsa një tjetër “mendonte se do të ishte përvojë e mirë”.

Fillimisht do të përzgjidhen rreth 27 kandidatë, dhe do t’u jepet mundësia vetëm 12 prej tyre. Deri në vitin 2025, Shërbimi i Parkut Kombëtar do të zvogëlojë madhësinë e tufës së bizonëve të paktën në nën 200, “në mënyrë që të mbrojë burimet e parkut nga ndikimet e popullatës së bizonëve”.

Matt Mallery, një arkeolog i cili aplikoi, thotë se përdorimi i vullnetarëve është me kosto efektive, logjike dhe ofron një mundësi për të korrur mish organik që mund të jetë i ndaluar. Nga ana tjetër, heqja e bizonëve gjithashtu ndihmon në mbajtjen nën kontroll të ekosistemit, tha ai.

“Duhet të ndodhë për qëllime menaxhimi,” shton Mallery. “Dhe nëse do të jetë dikush, mund të jem edhe unë.”

Por disa ambientalistë paralajmërojnë se kjo mund të përbëjë rrezik për të ardhmen. Bizonët janë konsideruar prej kohësh si menaxherë të aftë të ekosistemeve të natyrës. Ata përshkruhen si “simbole të fuqisë dhe vendosmërisë”, pasi mbijetuan Epokën e Akullnajave. Shumë organizata janë kundër vendimit, që e kanë quajtur edhe si “vendim Trump-i”.