Papa Françesku mbërrin në Panama në një kontinent të trazuar nga kriza venezueliane

0
98

Papa Françesku mbërriti të mërkurën në Panama për Ditët Botërore të Rinisë, në një moment ku kontinenti amerikan po përjeton një përshkallëzim të tensioneve që lidhen me situatën në Venezuelë.

Gjatë kohës që ati i shenjtë po udhëtonte mbi Atlantik, Juan Guaido, kryetari i Parlamentit të Venezuelës, i kontrolluar nga opozita, u vetëshpall president i përkohshëm i këtij shteti në krizë, i cili u pranua menjëherë nga SHBA-ja dhe aleatët e saj në rajon, Brazili dhe Kolumbia.

Pas këtij njoftimi nisën përplasjet mes forcave të rendit dhe mbështetësve të opozitës në Karakas, sipas medias. Në kundërpërgjigje, presidenti Nicolas Maduro njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në, duke i dhënë afat 72 orë përfaqësuesve diplomatikë për t’u larguar nga vendi.

Ati i shenjtë do të pritet zyrtarisht sot në mëngjes nga presidenti Juan Carlos Varela në kompleksin qeveritar të lagjes historike të Panamasë.