Në detin e qeseve plastike

0
244

Mbeturinat plastike në dete po shtohen. BE kërkon të kundërveprojë me masa të ndryshme, por fakt është se lumenjtë e detet më të ndotur ndodhen në Azi e Afrikë. Çfarë mund të bëjë Evropa në këto kushte?

Nëse në politikë bëhet fjalë, siç thonë cinikët, në radhë të parë për simbolikën dhe gjestet impresionuese, atëherë BE është në rrugën e duhur. Sepse me ndalimin e paralajmëruar të pirunjve e lugëve njëpërdorimshe, pipave dhe pambukoreve plastike, bota sigurisht do të bëhet një botë më e mirë. Se çfarë efekti ka kjo masë për më shumë pastërti në dete, gjëja më emergjente aktualisht, kjo kalon në plan të dytë. Rëndësi ka që ne në Evropë të ndjehemi mirë. Sepse kemi ndërmarrë diçka.

Gjithnjë e më shumë mbeturina plastike

Nuk mund të mohohet: Mbeturinat plastike rreth nesh po shtohen gjithnjë e më shumë. Perime, fruta, mish, sallam, djathë – këto produkte në supermarket i gjen të mbledhura në qese plastike. Çdo libër në librari – i kyçur në plastmas. Shitësja që më ofron simiten e mëngjesit i ka duart të veshura me dorashka plastike. Gati në çdo çantë shpine në metro e nxjerr kokën një shishe plastike njëpërdorimshme. Sikur në zyrat gjermane, në shkolla apo universitete nuk ka rubineta uji. Ato kanë ujin më të kontrolluar e më të shijshëm, po kjo është temë tjetër.

Sigurisht që jo të gjithë këta artikuj njëpërdorimësh zbarkojnë në det. Sepse në Evropë ka një sistem të gjerë e funksional të mbledhjes së mbeturinave plastike, madje pjesërisht ndahen edhe materialet e ndryshme, për riciklim. E kush shëtit nëpër brigjet evropianë apo del me varkë në Mesdhe e kupton, se problemi i Evropës nuk janë pambukoret, pipat dhe dhe pirunjtë plastikë. Sepse më shumë në ujëra gjenden shishe plastike, qese plastike, mbeturina rrjetash të peshkatarëve, shishe shampoje apo ato të vajit për motora. Asgjë nga këto nuk planifikohet të ndalohet. Në një kohë që me sistem rikthimi me pagesë të shisheve ky problem mund të reduktohej radikalisht. Këtu mund ta provojë veten BE!

E megjithatë vatrat më të nxehta të ndotjes së deteve nuk gjenden në Europë. Tetë nga dhjetë lumenj, që të matura me tonelata përditë derdhin në dete mbeturinat më të shumta plastike, gjenden në Azi. Dy të tjerët në Afrikë. Çfarë mund të bëjë Europa? Vetëm të shpërndajë pamje alarmuese në mediat sociale dhe të vajtojë mjerimin e qeseve plastike? Jo, Europa ka mundësi të tjera. Për shembull këtë: Të ndihmojë rajonet që ndodhen në territorin e këtyre lumenjve të ndotur në ngritjen e sistemeve të mbedhjes e riciklimit të mbeturinave. Me qëllim që plehrat të mos hidhen drejt e në ujërat e rrjedhshme në të ardhmen.

Ngritja e sistemit të mbledhjes së mbeturinave ka kosto

Firmat gjermane dhe ato evropianë kanë koncepte të zhvilluara teknologjike për këtë. Problemi është se ato nuk do t’i paguajë njeri në këto rajone. Prandaj, nëse për evropianët kjo temë është kaq e rëndësishme, atëherë nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të fusim duart thellë në xhep e të iniciojmë vetë projekte të tilla të zhvillimit. Kjo do të ishte një politikë me efekt të qëndrueshëm. Por sigurisht shumë më e kushtueshme, se ndalimi i pirunjve njëpërdorimësh dhe pambukoreve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu