Mungon prokurori, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuares për shtytje në terrorizëm

0
48

Për shkak të mungesës së prokurorit Afrim Shefkiu, sot në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuares për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, Igballe Berisha – Huduti, raporton Drejtësia Sot.

Ajo akuzohet se në rrjetin social “Facebook” ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese, duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane të Qassem Solejmani, gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe Gjeneral EbuMehdi Muhendisi.

Me të filluar seanca e sotme, gjyqtari i rastit Vesel Ismajli, njoftoi se nga ana e prokurorit kanë pranuar një njoftim se ai nuk mund të jetë i pranishëm në këtë shqyrtim për shkak të gjendjes shëndetësore.

Nën këto rrethana gjyqtari Ismajli theksoi se seanca e sotme shtyhet, kurse për atë të radhës palët do të njoftohen me ftesa të rregullta.

Përndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Igballe Berisha akuzohet se më datë 04.01.2020, përmes rrjetit social “Facebook” në llogarinë në emër Ikballe Berisha – Huduti në Prishtinë, me paramendim dhe me dashje ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane të Qassem Solejmani, gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe Gjeneral EbuMehdi Muhendisi.

Sipas aktakuzës, e njëjta si shenjë reagimi të kësaj ngjarje në llogarinë në Facebook ka postuar tekstin si në vijim:

“Populli Irakian doli ne rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë qe iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralëve të tyre Gjeneral Sulejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dhasht durimin ngase të mbysësh zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk kakufi“, dhe në këtë mënyrë ka shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të këtilla të kryhen.

Me çka sipas aktit akuzues ka kryer veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 të KPRK-së.