Kurti përkrahet për vendimin që të padisë Serbinë për gjenocid

0
156

Kryeministri Albin Kurti në prezantimin e programit qeverisës ka thënë se do ta bëjnë gati padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ky vendim i Qeverisë Kurti po përkrahet nga qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” me seli në Gjenevë, njofton Klan Kosova.

“Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje me Qeverinë e Kosovës se padia për gjenocid duhet të jetë e përgatitur mirë, në mënyrë që të dalim fitues nga ky proces për arritjen e drejtësisë për viktimat e gjenocidit në Kosovë”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga kjo qendër.

“Arritja e drejtësisë për gjenocidin në Kosovë do t’i kontribuojë paqes në këtë pjesë të botës dhe do të jetë një kontribut për parandalimin e akteve të tilla të shëmtuara në të ardhmen anekënd botës”.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” është zotuar se do të angazhohet në vazhdimësi për të dhënë kontributin e vet maksimal në këtë drejtim.