“Kosova dhe Izraeli kanë shumëçka të përbashkët. Vende me popullatë të vogël, por me kapital të mahnitshëm njerëzor”

0
297

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ka thënë se shteti i tij ka të njëjtin qëndrim ndaj Marrëveshjes së Washingtonit, pavarësisht ardhjes së Joe Biden në pushtet.

Ai ka thënë se pret edhe nga Qeveria e re në Kosovë që të vazhdojë në këtë drejtim, përkundër deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se “nuk kemi detyrime ndaj zotimeve të e kryeministrit të paligjshëm të Kosovës kur të kthehemi në detyrë”.

“Disa njerëz menduan se Administrata e Biden thjesht do të griste çdo gjë që kishte bërë Administrata Trump. Kjo nuk ka ndodhur. Në fakt, Administrata e Biden e ka bërë të qartë se mendojmë se një pjesë e madhe e punës së bërë në forcimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në rajon ishte pozitive dhe do të vazhdojmë të punojmë mbi to”.

“Kjo është edhe politikë e administratës së Bidenit. Prandaj, çka po kërkojmë nga Kosova, Serbia dhe të tjerët nuk është që të kenë vetëm një reagim të menjëhershëm që nuk na pëlqen çka ka bërë Qeveria, prandaj do të heqim qafe. Mendoj se nëse i shikoni qëllimet specifike të marrëveshjes së Washingtonit, për forcimin e tregtisë, për forcimin e investimeve, forcimin e investimeve amerikane në rajon, këto janë gjëra pozitive. Prandaj, çka do të kërkoja nga qeveria e Kosovës është të ecë përtej politikës së saj dhe të shikojë nëse gjërat që janë diskutuar vitin e shkuar ende kanë kuptim për popullin e Kosovës. Dhe mendoj se ato kanë kuptim. Forcimi i lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërmjet Kosovës dhe të gjitha vendeve në rajon, është në interes të Kosovës”.

Kosnett në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se pikat e Marrëveshjes për forcimin e lidhjeve rrugore, hekurudhore dhe ajrore, si dhe sjellja e më shumë investimeve amerikane në rajon përmes Korporatës për Zhvillimin Financiar, janë shumë pozitive për Kosovën.

Ai po ashtu si të arritur të madhe të Kosovës po e sheh edhe marrjen e njohjes nga Izraeli që doli nga kjo Marrëveshje.

“Mendoj se kjo është e rëndësishme jo vetëm se është edhe një shtet me flamur që e njeh Kosovën, por sepse Izraeli mund të jetë shembull dhe partner për Kosovën. Kanë shumëçka të përbashkët. Këto janë vende me popullatë të vogël, por me kapital të mahnitshëm njerëzor. Të rinj shumë të talentuar në veçanti në sektorin e teknologjisë. Dhe Shtetet e Bashkuara do të dëshironin të shohin jo vetëm qeveritë e Kosovës dhe Izraelit, por edhe komunitetet e tyre afariste duke i vënë lidhjet. Mendojmë se kjo është vërtetë emocionuese dhe të dy vendet do të përfitojnë. Shpresoj që edhe ndërmarrjet amerikane të jenë gjithashtu të përfshira në këtë proces”.

Sa i përket vendndodhjes së Ambasadës së Kosovës në Izrael, Kosnett tha se qëndrimi i SHBA-së ka qenë i qartë se Kosova ka të drejtë sovrane që të vendosë për këtë çështje.

“Dëshira jonë është t’i shohim Kosovën dhe Izraelin duke u përqendruar në përfitimet ekonomike, të sigurisë të kësaj marrëdhënie. Por, ne jemi vëzhgues në këtë dhe kjo çështja e lokacionit të Ambasadës iu takon Kosovës dhe Izraelit”.