Këto janë 10 vendet më të bukura të Shqipërisë

0
3598

Natyrë e mrekullueshme, ajër i pastër, ushqim të veçantë, shtëpi të bukura, mikpritje. Këto janë disa nga karakteristikat që janë marrë parasysh për këtë klasifikim në “Dita” të disa prej fshatrave më të bukura të Shqipërisë.

Nga Vermoshi në Dhërmi, Shqipëria ofron bukuri natyrore të veçanta, pak të eksploruara.

Rekordin e mban zona e Vlorës me 3 fshatra në renditje, pastaj Korça me 2.

Vermoshi/Kelmend

Vermoshi, pika më veriore e Shqipërisë, një fshat malor i Alpeve Perëndimore, që ndodhet 95 km në veri të Shkodrës në krahinën e Kelmendit.

Bukuria e natyrës shfaqet që në Qafën e Rrapshit, ku peizazhi i bukur malor përshkohet nga gjarpërimi i kristaltë i Lumit të Cenit.

Vermoshi ndodhet në një pllajë 1,100 m mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga faqe të thepisura plot gjelbërim.

Ngjitjet malore, shëtitjet apo edhe peshkimi i troftës së egër janë disa nga mënyrat më tërheqëse për të shijuar qendrimin në bukuritë e fshatit alpin.

Fshati spikat për bulmetrat karakteristikë dhe natyrisht mikpritjen proverbiale të gjithë zonës së Kelmendit.

Valbona/Tropojë

Valbona, një fshat alpin që ndodhet 25 km nga Bajram Curri në luginën e Valbonës, në pjesën lindore të Alpeve të Shqipërisë.

Fshati Valbonë ose siç quhet ndryshe, Selimaj, është qendra më e rëndësishme e banuar e luginës dhe njëherazi njëra nga pikat turistike më tërheqëse të Shqipërisë së veriut.

Kullat karakteristike dhe natyra e papërsëritshme e luginës së Valbonës janë në një harmoni mbresëlënëse, ku madhështisë së natyrës i është përshtatur dora e njeriut me banesat shekullore prej guri.

Bujtinat e këndshme, ushqimi tradicional: mazja, flija, mjalti, djathiapomishi, peizazhet magjepsëse alpine, uji i kthjellët i Valbonës, perëndimet e mrekullueshme apo edhe thjesht ashpërsia e natyrës, mundësitë për ngjitje malore, udhëtimet aventureske me kanoe, shëtitjet e paharrueshme përgjatë Valbonës, burimet e mahnitshme të lumit, gjithçka e bën Valbonën, lumin dhe fshatin, një nga destinacionet më të veçanta të Ballkanit.

Thethi/Shkodër

Thethi ndodhet 70 km larg Shkodrës, ku rruga kulmon në 2000 metra lartësi në Qafën e Tërthores.

Fshati i bukur alpin rrethohet nga male të larta që arrijnë deri në 2,500 m lartësi dhe ofron pamje të mrekullueshme brenda e përreth tij ku kullat shekullore tanimë të restauruara e të rikthyera në bukurinë e tyre origjinale, mirëpresin qindra e qindraturistë vendas e tëhuaj. Kulla e Koçekëve dhe sa e sa kulla të tjera janë dëshmi të gjalla të historive të shekujve.

Teksa largohesh nga qendra e fshatit drejt bukurive të tjera alpine, kullat e lagjes së Grunjasit, lagjes më të vjetër të Thethit, të shpien mes lartësish të thepisura drejt ujëvarës së Grunjasit, që ndodhetnë 900 m lartësi, tek ura e vjetër prej druri me një pamje të mrekullueshme ku lumi humbet mes shkëmbinjve malorë.

Natyra e larmishme alpine e Thethit ofron mundësinë e ngjitjeve malore, peshkimit apo thjesht shëtitjeve relaksuese.

Natyra e bukur, fauna e pasur, arkitektura alpine, ushqimet karakteristike, ku trofta e egër natyrisht nuk mund të lihet pa u shijuar, relaksi, gjithçka e bën Thethin një atraksion turistik të papërsëritshëm edhe në këta muaj të vjeshtës.

Lini/Pogradec

Lini, një fshat i mrekullueshëm gadishullor që ndodhet në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, 22 km nga qyteti i Pogradecit. Rrugina të bukura, ku ngrihen shtëpi karakteristike me gurë e tulla, shtëpi që lartohen buzë ujit, oborre me pjergulla, një mjedis i mrekullueshëm, ku liqeni dhe fshati janë pjesë të pandara nga njëri-tjetri.

Bazilika e fshatit, një ngrehinë e shekullit të 7-të pas Krishtit, mozaikët e hershëm, historia qindravjeçare, kuzhina karakteristike, ku peshku zë vendin kryesor, dhe natyrisht liqeni dhe bukuritë e arkitekturës dhe rruginave janë atraksionet e veçanta të fshatit gadishullor që e bëjnë Linin një destinacion të paevitueshëm për të gjithë ata që kërkojnë relaksin dhe largimin nga e përditshmja e jetës së qytetit.

Voskopoja/Korçë

Voskopoja, një nga qendrat më të rëndësishme të histories së Ballkanit, ndodhet rreth 21 km nga qyteti i Korçës. Fshati ngrihet mbi një pllajë në 1160 metra mbi nivelin e detit. Voskopoja i ka fillimet e saj në vitin 1330 dhe arriti kulmin e zhvillimit në fundin e shekullit të 18 me në popullsi prej 30,000 banorësh.

8 nga 27 kishat mesjetare të Voskopojës kanë mbetur ende në fshat, mund të vizitoni pikturat  murale të piktorëve të famshëm korçarë si David Selenica apo vëllezërit Zografi. Bukurive të natyrës, historisë së pasur, kishave me arkitekturën dhe artin e tyre u shtohen edhe hotelet dhe shtëpitë e bukura që ofrojnë kushte të përshtatshme për të gjithë ata që duan të kalojnë pushime të veçanta larg zhurmës dhe ritmit marramendës të qytetit në këtë sezon të vjeshtës.

Dardha/Korçë

Një fshat i mrekullueshëm malor që ndodhet 20 km në juglindje të Korçës e që ngrihet në 1,350 m lartësi.

Rruga tanimë e përfunduar të shpie mes shtëpive karakteristike me mure me gurë dhe rrugëve të gurta.

Bukurive arkitekturore u shtohen edhe mjediset e bukura tradicionale të interiereve të shtëpive, bukuritë e natyrës brenda e përreth fshatit, por natyrisht edhe ushqimi karakteristik, kulakrori i shijshëm i shoqëruar me dhallën dardhare është një atraksion i paevitueshëm i identitetit të fshatit.

Në fundjavë, fshatit i rikthehet gjallëria, pasi shumë banorë të Korçës apo rrethinave, si edhe vizitorë nga Tirana apo qytete të tjera preferojnë ta kalojnë fundjavën në Dardhë.

Bënja/Përmet

Nëse shkoni në Përmet, qytetin e luleve, shtëpive të vjetra karakteristike, natyrisht që një destinacion i paevitueshëm është Bënja, që ndodhet vetëm 3 km larg Përmetit.

Shtëpitë e bukura,  natyra e virgjër dhe ujrat termale e kanë kthyer Bënjën në një destinacion të mrekullueshëm turistik gjithëvjetor.

Ura e gurtë e Kaikut mbi lumin e Langaricës është një atraksion tjetër i bukur që paraprin bukurinë e të papriturave të kanioneve të Langaricës.

Bënja natyrisht që njihet edhe për ushqimet karakteristike përmetare që u japin shije ditëve tuaja të paharrueshme në këtë perlë të mirëfilltë të Përmetit.

Dhërmiu/Vlorë

Dhërmiu ndodhet 42 km në jug të Vlorës dhe thuajse në të njëjtën largësi në veri të Sarandës. Fshati ngrihet në faqe të malit rreth 200 m lartësi. Pranë Dhërmiut ndodhet Shpella e Piratëve.

Kuzhina karakteristike, gatimet e peshkut, hotelet e shumta, plazhet e bukura me gurishte dhe bukuritë e natyrës malore e bëjnë Dhërmiun një destinacion të veçantë për të gjitha moshat edhe në këtë periudhë të vjeshtës.

Vunoi/Vlorë

6 km në jug të Dhërmiut ndodhet Vunoi, që ngrihet në një kodrinë në lartësi 176 m mbi nivelin e detit Jon. Plazhi i Jalës, me ujin e kristaltë, rërën dhe bimësinë e tij të larmishme, janë disa nga pikat më domethënëse të Vunoit.

Shtëpitë e gurta dhe rruginat me pllaka guri, bukuria e natyrës, pamjet e bukura detare, ullishtet dhe pemët e shumta frutore, , gjithçka e bën Vunoin një destinacion të veçantë për turistët edhe në sezonin e vjeshtës.

Fterra/Vlorë

Fterra ndodhet 10 km në verilindje të Borshit, në krahinën e Kurveleshit. Me ndarjen e re territoriale, Fterra bën pjesë në Bashkinë e Himarës. Fshati ndodhet në lartësi 200 – 250 m mbi nivelin e detit.

Shtëpitë karakteristike ngrihen mes një peizazhi të gjelbëruar e faqesh malore. Shtëpitë e gurta mbulohen me pllaka guri, një traditë thuajse unike e fshatit e ruajtur në shekuj. Portat e tyre kanë mbulesë guri dhe rrethohen nga korniza guri. Në oborret e shtëpive rriten lule, fruta dhe perime. Ambientet shtëpiake ruajnë qilimat e prodhuara me dorë nga banoret e fshatit.

45 burimet me ujë të ftohtë, që mbajnë secili nga një emër të veçantë, si edhe shpellat e shumta janë dy nga atraksionet më mbresëlënëse të Fterrës. Shpella e Kazhanit, Shpella e Buçkes, Shpella e Guvës, Shpella e Gjolekës dhe Shpella e Zanes spikasin për karakteristikat dhe përmasat e tyre të veçanta.

Nëse dëshironi të shijoni bukuritë e natyrës dhe fshatit, të zbuloni shpellat e paeksploruara, të pini ujin e burimeve, të përhumbeni e të largoheni për disa ditë nga jeta e qytetit, Fterra është një destinacion krejt i veçantë./Biznesi/OxygenPress.info