Çfarë ka ndodhur më 8 nëntor?

0
164

1884- Lindi Herman Rorschach, psikiatër zviceran frojdian psikoanalist i njohur për zhvillimin e provës projektuese “Inkblot Rorschach” (“Njolla boje Rorschach”), për të cilën thuhet se pasqyron pjesë të pavetëdijëshme të personalitetit me anë të stimujve. Në këtë test, individëve u paraqiten 10 njolla – një në një kohë – dhe u kërkohet të thonë se çfarë objekte ose shifra ata shohin në secilën prej tyre. Në vitin 1921, Herman shkroi librin Psychodiagnostik, ku shpjegon bazën e testit të tij dhe pati sukses të menjëherëshëm. Nga disa, testi inkblot është kritikuar si pseudoshkencë, dhe vazhdon të shihet si i kontestueshëm. Vetëm një vit pas botimit të librit, Rorschach vdiq nga apendesiti , në moshën 37 vjeçare.

1895 – Ndërsa po eksperimentonte me energji elektrike, Wilhelm Rontgen zbulon rreze elektromagnetike dhe i quan X, nga që ishin të panjohura deri atëhere. Për këtë zbulim, Rontgen u nderua me çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1901, ndërsa Shoqata Ndërkombëtare e Kimisë quajti elementin 111, Roentgenium.

1936 – Trupat Frankoiste dështojnë në përpjekjet për të marë Madridin, por vendosin një rrethim që zgjati 3 vjet. Qyteti ra përfundimisht në duart e nacionalistëve të Frankos më 28 mars 1939. Lufta Civile Spanjolle filloi pas një grushti të dështuar shteti kundër qeverisë së Frontit Popullor të Republikës spanjolle nga ana e oficerëve të krahut të djathtë të ushtrisë së udhëhequr nga Francisko Franko më 18 korrik 1936.

 

1940 – Pushtimi italian i Greqisë dështon ndërsa forcat greke dolën fituese në betejën e Elaia – Kalamas ndaj ushtrisë italiane. Së bashku me humbjen italiane në Betejën e Pindit , kjo fitore greke në Elaia – Kalamas çoi në shkarkimin e komandantit të forcave pushtuese italiane në Shqipëri, Sebastiano Visconti Prasca, më 9 nëntor. Në javët e ardhshme, forcat greke ndërmorrën një kundërsulm në shkallë të gjërë duke i detyruar italianët të tërhiqeshin thellë në territorin shqiptar.

1941 – Themelohet Partia Komuniste Shqiptare nga bashkimi i grupeve komuniste. Bashkërendues i këtij bashkimi ishte malazezi Miladin Popovic. Në formimin e PKSH-së nuk u zgjodh një udheheqës, por për koordinimin e degëve të partisë u caktua Enver Hoxha, sekretar për Tiranën. Në mars 1943, Hoxha zgjidhet kryetar i partisë. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të Shqipërisë nga Italia e Gjermania, PKSH-ja vjen në pushtet dhe Hoxha merr përsipër postet si kryeministër, ministër i Jashtëm, ministër i Mbrojtjes dhe dhe komandant i përgjithshëm. Me vendim të Kongresit I (1948), PKSH-ja ndryshon emrin në Parti e Punës (PPSH). Në Kongresin e X (1991), PPSH-ja shndërrohet në Parti Socialiste (PS).

1977 – Manolis Andronikos, arkeolog grek dhe profesor në Universitetin Aristotel të Selanikut, zbulon varrin e Filipit II të Maqedonisë në Vergina. Varri ishte i paprekur, dhe përmbante shumë sende të vlefshme, të cilat u bënë pjesë e një ekspozite shëtitëse “Në Kërkim të Aleksandrit” në 4 qytete në Shtetet e Bashkuara, nga viti 1980 – 1982. Ndërsa vetë zbulimi është i një rëndësie të madhe arkeologjike, identifikimi i varrit me Filipin, vazhdon të kontestohet nga disa arkeologë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu