BE dhe UNDP dorëzojnë dy klinika mobile që do të ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit në mbarë Kosovën

0
91

Kriza e Covid-19 ka prekur në mënyrë disproporcionale grupet e cenueshme dhe njëra nga sfidat më të mëdha me të cilat ata janë përballë ka qenë qasja në shërbimet esenciale. Për të ndihmuar këto grupe, Projekti për Ndihmë Humanitare (HAP), i financuar nga zyra e BE-së në Kosovë dhe i zbatuar nga UNDP në Kosovë, ka riaktivizuar klinikën mobile të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas (fillimisht e krijuar nga UNDP) për të vizituar komunat anembanë Kosovës, me fokus të veçantë në zonat rurale dhe të largëta, për të ofruar shërbime ligjore për grupet e cenueshme – veçanërisht për gratë, pleqtë, fëmijët dhe komunitetet pakicë.

Kjo klinikë mobile është dëshmuar shumë efikase në ofrimin e këshillave sociale dhe ligjore dhe shërbimeve të tjera esenciale për grupet e cenueshme prandaj, për të zgjeruar shtrirjen dhe ofrimin e këtyre dhe shërbimeve të tjera, UNDP ka blerë dhe pajisur dy furgonë/klinika të reja mobile. Këto klinika janë automjete të personalizuara që do të udhëtojnë tek komunitetet anembanë Kosovës, qofshin ato urbane dhe rurale, dhe do të ndihmojnë personat në nevojë.

Në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFLT), Departamentin për Planifikim Social dhe Familjar (DSFP), UNDP ka angazhuar dy OJQ që mbulojnë tërë Kosovën, “Nëna Tereza” dhe “Handikos” Gjilan për të ofruar shërbime sidomos për personat me aftësi të kufizuar dhe të moshuarit që kanë qasje të kufizuar në shërbime dhe që jetojnë në zona vështirë të arritshme.

Klinikat mobile do të ofrojnë shërbime esenciale dhe mund të përdoren gjithashtu për shërbime transporti për të moshuarit ose personat me lëvizshmëri të zvogëluar për të arritur në objektet ku u ofrohet kujdesi, si qendrat e kujdesit shëndetësor dhe të mirëqenies, objektet e vaksinimit, rehabilitimit ose shërbime të tjera terapeutike, këshillim psiko-social, zyrat e punësimit, regjistrimit të certifikatës së lindjes dhe shërbime të ngjashme bazuar në nevoja të përcaktuara dhe orar të qartë.

Dy klinikat e specializuara mobile iu dorëzuan OJQ-ve sot, në një ceremoni që u zhvillua në sheshin Skenderbeu me pjesëmarrjen e z. Tomáš Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësues Special i BE-së, z. Ilir Kapiti, Zëvendësministër për Financa, Punë dhe Transfere, znj. Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, z. Zef Shala nga OJQ Nëna Terezë, z. Fatmir Shurdhani nga Handikos Gjilan, dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të Kosovës.

Tomáš Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i BE-së, deklaroi se Bashkimi Evropian po punon shumë për të reduktuar pabarazitë sociale të thelluara nga Covid-19 “Kjo periudhë sigurisht që ka rritur pabarazitë sociale, duke lënë një pjesë të shoqërisë tonë në varfëri të skajshme dhe një numër të madh të familjeve në kushte të vështira socio-ekonomike. Kjo është arsyeja pse jam shumë i lumtur që sot jam në lansimin e Klinikave Sociale Mobile. Nga nesër, këta dy furgonë do të ofrojnë një sërë shërbimesh sociale, shëndetësore dhe të punësimit për grupet më të cenueshme”.

Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së theksoi rëndësinë e mundësimit të qasjes në shërbime për të gjithë në nevojë: “Sipas Projektit për Asistencë Humanitare, financuar nga BE-ja, ne do të ndihmojmë në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare – si dhe shërbimeve shëndetësore – përmes klinikave mobile. Kjo do të mundësojë ofrimin e shërbimeve derë më derë – për të arritur personat që gjenden në situatat më të cenueshme, si p.sh. të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar. Kjo do të forcojë aftësinë e institucioneve vendore për të ofruar shërbime cilësore përmes një mënyre inovative.”

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është përgjegjëse për hartimin e politikave, legjislacionit, programeve të mbështetjes sociale dhe organizimin e ofrimit të shërbimeve sociale. Kjo qeveri, sipas buxhetit të aprovuar për vitin 2021, përmes thirrjes publike ka ofruar mbështetje financiare në vlerë prej 900 mijë euro për mbështetje të 39 OJQ-ve të licensuara në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare. Kjo mbështetje financiare kap shumën prej 12 mijë deri 45 mijë euro për zbatimin e projekteve”, tha zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti.

“Në emër të Organizatës “Nënë Tereza”, kam kënaqësinë të pranoj sot këtë donacion. Projekti është krijuar për të ofruar shërbime shumëdisiplinore për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien sociale, sepse çdo person ka të drejtë të jetojë dhe të plaket me dinjitet. Prandaj, projekte të tilla nevojiten veçanërisht për grupet e cenueshme të cilat janë të prekura në mënyrë disproporcionale nga kriza e pandemisë COVID-19”, tha Zef Shala Drejtor i Shoqatës Humanitare dhe Bamirëse -Nënë Tereza.

Fatmir Shurdhani, Menaxheri i Handikos Gjilan tha me këtë rast: “Handikos Gjilan është mirënjohës ndaj BE-së dhe UNDP-së që na besuan një mision kaq të rëndësishëm. Jemi jashtëzakonisht të lumtur që personat me aftësi të kufizuar dhe të moshuarit në rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt nuk do të kufizohen nga pamundësia për t’iu qasur shërbimeve publike, por do të kenë mundësi të kenë qasje në asistencën psikologjike dhe punës sociale, kujdesin mjekësor dhe medikamente.

Pandemia filloi si një krizë shëndetësore, por, prej gati dy vjetësh, është kthyer në një krizë shumëdimensionale me implikime të gjera socio-ekonomike. Angazhimi i BE-së dhe UNDP-së vazhdon të ofroj mbështetje për grupet më të cenueshme që janë në rrezik dhe proceset e rimëkëmbjes që lidhen me COVID-19.

Që nga shpërthimi i COVID-19, UNDP në Kosovë, si Agjenci kyçe e Ekipit të OKB-së në Kosovë (UNKT), është duke mbështetur qytetarët dhe institucionet e Kosovës që të përgatiten, t’i përgjigjen dhe të rimarrin veten nga pandemia duke u përqëndruar veçanërisht në më të prekurit. Ne kemi zhvendosur me nguti fokusin, duke reaguar me shpejtësi dhe efikasitet dhe duke riorientuar programin tonë për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës për të ndaluar përhapjen e virusit, mbrojtjen e njerëzve nga pandemia dhe ndikimet negative gjatë  shpërthimit dhe për të ndihmuar në ripërtëritjen ekonomike dhe sociale në muajt në vazhdim.