A mund të konsumoni ushqime të tharta gjatë ciklit menstrual?

0
143

Menstruacionet, ose cikli juaj menstrual, shoqërohen shpesh me ngërçe, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse mënyra e mitrës për të hequr mbështjellësin e saj të brendshëm, i cili del në formën e gjakut. Ngërçet janë zakonisht shqetësuese dhe me shkallë të ndryshme dhimbjeje.

Thuhet se disa ushqime mund të lehtësojnë dhimbjen dhe shqetësimin, dhe disa të tjera mund ta përkeqësojnë atë. Shumë njerëz besojnë se ushqimet e tharta duhet të shmangen në ato katër-pesë ditë çdo muaj, sepse mund ta përkeqësojnë situatën, duke bërë që ngërçet të bëhen më intensive.

Por, a ka ndonjë të vërtetë për këtë, veçanërisht kur bëhet fjalë për ushqime si turshitë dhe limonët? Mjekja indiane Tanaya, shpjegoi së fundmi lidhjen midis ushqimit dhe ngërçeve.

“Fatmirësisht, pavarësisht se çfarë të jenë këto thashetheme, dhe çfarë thonë fqinjët tuaj, mitra juaj nuk ka sytha shijeje, kështu që nuk ka rëndësi se çfarë lloj ushqimi jeni duke ngrënë në periudhën tuaj. Ushqimet e tharta nuk do t’i përkeqësojnë dhimbjet e menstruacioneve”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ngërçet do të ndodhin, shtoi doktoresha. Ajo tha se nëse dikush dëshiron diçka të thartë, si limon, turshi, karamele të tharta, ata duhet ta kenë atë, sepse në fund të fundit njeriu duhet të bëjë gjithçka që mundet për t’u ndjerë rehat dhe i lumtur.

Derisa ka disa ushqime që vërtet mund të ndihmojnë gjatë kësaj kohe, ka disa të tjera që duhet të shmangen. Nutricionisti, Rohini Patil, ka thënë se duhet të shmangni ushqimin e skuqur dhe ushqimet e gatshme, duke përfshirë ushqimin e paketuar, pasi ato janë të pasura me kripë dhe natrium, konsumimi i tepërt i të cilave mund të shkaktojë mbajtjen e ujit që çon në fryrje gjatë periodave. Gjëra të tjera që duhen shmangur janë edhe kafeja dhe alkooli.