𝐐𝐞𝐯𝐞𝐫𝐢𝐚 𝐩𝐫𝐞𝐳𝐚𝐧𝐭𝐨𝐧 𝐦𝐛𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐣𝐞𝐧 𝐩𝐞̈𝐫 𝐩𝐫𝐨𝐝𝐡𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐨𝐫

0
174
Daljen nga pandemia Qeveria e sheh si një mundësi të re për të ri-orientuar ekonominë drejt prodhimit e eksportit, drejt rritjes së punësimit të dinjitetshëm, si dhe drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike. Andaj me qëllim të forcimit të pozitës se prodhuesit vendor në treg, në linjë me programin Qeverisës, Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati prezantuan sot operacionalizimin e masës 2.1 – Mbështetja për kredi investive dhe masës 2.4 – Rritja e eksportit.
Operaionalizimi e zbatimi i këtyre dy masave synon që ekonomia vendore të fokusohet në prodhim e eksport, ashtu që të kemi rritje ekonomike të qëndrueshme, e cila ju bën ballë lëkundjeve të tregut të jashtëm. Gjatë fjalës së tij në konferencë, Kryeministri Kurti u shpreh se periudha pandemike përveç vështirësive që ka sjellë, gjithashtu ka qenë një kohë reflektimi e mësimi, që na ka bërë që edhe më shumë të kuptojmë potencialin e rëndësinë e prodhuesit vendor.
Në anën tjetër, Ministri Murati shpalosi detajet lidhur me kushtet dhe kriteret për përfitim nga masat 2.1 dhe 2.4, të cilat synojnë nxitjen e investimeve në kapacitete të reja prodhuese e eksportuese, rritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë së prodhimit vendor, ngritjen dhe standardizimin e cilësisë, si dhe aftësimin e punëtorëve dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore.
Së fundi, përfaqësues nga Administrata Tatimore e Kosovës demostruan procesin e aplikimit për masën 2.1, e cila do të bëhet përmes platformës EDI të ATK-së.
Sipas masës 2.1 – Subvencionimi i kredive investive parashihet subvencionimi i kredive investive për bizneset prodhuese dhe përpunuese në vlerë prej 20 % të kredisë; subvencionimi i kredive investive për bizneset në pronësi të grave në vlerë prej 20 % të kredisë, si dhe subvencionimi i kredive për bizneset që kanë nevojë për likuiditet në vlerë prej 10 % të kredisë.
Në anën tjetër, masa 2.4 – Mbështetja e eksportit parasheh mbështetjen financiare për bizneset prodhuese dhe përpunuese në subvencionimin deri në 10,000 euro për ngritjen e kapaciteteve të stafit menaxherial për certifikim profesional; subvencionimin deri në 20,000 euro për ngritjen e kapaciteteve të stafit të angazhuar në prodhim; subvencionimin deri në 50,000 euro për aktivitet lidhur me brendimin dhe marketingun e produkteve; si dhe subvencionim deri në 50,000 euro për pjesëmarrjen në panaire jashtë vendit, si mundësi e gjetjes së tregjeve të reja.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në linjë me Programin Qeverisës, mbetet e përkushtuar në mbështetjen e prodhuesve vendor. Andaj, masat 2.1 dhe 2.4 shënojnë vetëm fillimin e operacionalizimit të plotë të masës 2 – Ringjallja e Ekonomisë dhe Prodhimit, duke dëshmuar edhe njëherë se Qeveria është partner i prodhuesve vendor.
****
Ju lutem gjeni më poshtë vendimet:
‐ Vendimi Nr.66/2021 mbi caktimin e kushteve dhe kritereve për zbatimin e masës 2.1 – Subvencionimi i kredive invstive të Pakos së Ringjalljes Ekonomike
‐ Vendimi Nr.67/2021 mbi caktimin e kushteve dhe kritereve për zbatimin e pjesëshëm të masës 2.4 – Mbështetja e Eksporit të Pakos të Ringjalljes Ekonomike
*************