Pfizer 93% efektiv në mbajtjen jashtë spitaleve të 12-18 vjeçarëve

0
115

Sipas një studimi të ri, vaksina kundër koronavirusit e Pfizer është 93% efektive në parandalimin e shtrimeve në spital për Covid-19 për moshat 12 deri në 18 vjeç.

Studimi nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) analizoi 464 pacientë adoleshentë të shtruar, përfshirë 179 me Covid-19 dhe 285 të shtruar për arsye të tjera.

Nga 179 të shtruar në spital me Covid-19, 97 për qind nuk ishin të vaksinuar dhe shumë prej tyre kishin të paktën një sëmundje bashkëshoqëruese.

Studimi, sipas autorëve, ndihmon në përforcimin e rëndësisë së vaksinimit për të mbrojtur të rinjtë amerikanë kundër COVID-19.

“Këto të dhëna sugjerojnë se rritja e mbulimit të vaksinimit në këtë grup mund të zvogëlojë incidencën e Covid-19 në SHBA’’, theksuan autorët.

Studimi tregon se efektiviteti i Pfizer ndryshon pak midis grupmoshave, me 91 për qind efektivitet për ata të moshës 12 deri në 15 vjeç dhe 94 për qind për ata të moshës 16 deri në 18 vjeç.

Studimi përfshiu vetëm ata që ishin vaksinuar plotësisht kundër Covid-19, pasi kishin marrë dozën e dytë të paktën 14 ditë para fillimit të sëmundjes.

Të dhënat nga CDC tregojnë se mbi 65 000 fëmijë janë shtruar në spital me Covid-19 dhe gati 700 kanë vdekur që nga gushti 2020.

Autorët e studimit vunë në dukje se është “e domosdoshme” të vendosen “masa parandaluese për të zvogëluar incidencën e COVID-19 të rëndë tek adoleshentët, përfshirë vaksinimin”, veçanërisht kur më shumë fëmijë shkojnë në shkollë fizikisht.

“Me rastet e reja tek fëmijët në SHBA që vazhdojnë të jenë në një nivel të lartë, ky prezantim është një hap i rëndësishëm në përpjekjen tonë të vazhdueshme kundër COVID-19’’, theksoi gjiganti farmaceutik.