Rregullat e reja për testimet SARS-CoV-2 në Zvicër

0
1311

Ekspertja shqiptare e mikrobiologjisë, Dr. Fatime Imeri Berisha, e cila zotëron disa qendra testimi në Cyrih, sqaron për lexuesit tanë hollësitë lidhur me rregullat e reja të testimit në Zvicër.

  1. Testi i shpejtë antigjen dhe PCR financohen nga qeveria për të gjithë ata persona që kanë simptome të COVID-19. Nëse rezultati është pozitiv, lëshohet çertifikata, e cila vlen prej ditës së 11-të pas testimit dhe me të cilën një person dëshmon që e ka kaluar COVID-19.

Nëse te personat me simptome të COVID-19, rezultati i testit PCR apo antigjen është negativ, në ato raste nuk guxon të lëshohet certifikata COVID-19.

Përjashtim nga kjo rregull janë :

  • personat nën moshën 16 vjeçare
  • ata të cilët për shkaqe shëndetësore, të vërtetuara nga mjeku, nuk mund të vaksinohen dhe
  • personat që kanë marrë një dozë të vaksinës (testi pa pagesë deri më 30.11.2021)

Këto tri grupe të lartpërmendura, pra, mund të kërkojnë çertifikatë edhe për testin negativ, antigjen apo PCR (« Pool «)

Domethënia e « Pool » : mostrat e 5-10 personave bëhen bashkë në një epruvetë dhe ajo mostër kolektive pastaj analizohet. Nëse rezultati i mostrës “Pool” është pozitiv, të gjithë personat që janë pjesë e atij “Pool” duhet të testohen  veçmas, në mënyrë që të përcaktohet se cili nga ata është pozitiv.

  • Testi pa pagesë mundësohet edhe nëse kontaktoheni nga SwissCovid-App dhe ju lajmërojnë që keni pasur kontakt me një person të testuar pozitiv. Qeveria paguan shpenzimet për një test të vetëm, i cili mund të bëhet menjëherë, pra pa pritur 5 ditë, siç ishte deri më tani.
  • Te testimet repetitive „Pool“ që organizohen nga punëdhënësit, mund të jepet çertifikata nëse rezultati është negativ, përveç atyre personave që aktualisht janë në karantinë. Këto teste financohen nga qeveria.
  • Testet e shpejta antigjen për vizitorë në spitale dhe institucione shëndetësore financohen gjithashtu nga qeveria. Në këto raste nuk lëshohet certifikata, por vetëm një rezultat i zakonshëm nga qendra e testimit.
  • Testet e shpejta për vetëpërdorim nuk financohen nga qeveria që nga 01.10.2021. Nëse një person rezulton pozitiv me testin e shpejtë për vetëpërdorim, ai duhet menjëherë të karantinohet dhe të bëjë teste plotësuese (PCR).
  • Nga 01.10.2021 qeveria më nuk i financon as testimet në kuadër të tubimeve.
  • Hyrja në Zvicër pa testim iu mundësohet atyre që e kanë çertifikatën e vaksinës.
  • Nëse një person që do të udhëtojë në Zvicër nuk është i vaksinuar dhe nuk ka çertifikatë që e ka kaluar COVID-19 në 6 muajt e fundit, atëherë nevojiten dy teste. Testi i parë, para se personi të udhëtojë, mund të jetë testi PCR 72 orë i vjetër apo testi antigjen 48 orë para hyrjes në Zvicër. Testi i dytë, antigjen apo PCR bëhet 4-7 ditë pasi një person të hyjë në Zvicër. Rezultati i këtij testi duhet t`iu dërgohet institucioneve të Kantonit brenda dy ditëve pas marrjes.

Përjashtime nga kjo rregull e testimit bëjnë : ata që punojnë dhe banojnë në regjione kufitare, fëmijët nën 16 vjeç, shoferët profesionistë, udhëtarët që e kalojnë Zvicrën transit pa u ndalur dhe banorët e regjioneve kufitare.

  • Testet serologjike për antitrupa në gjak paguhen nga qeveria vetëm në dy raste :
  • Nëse indikacionin për testim e ka bërë mjeku nga Departamenti i Shëndetësisë së Kantonit apo
  • Nëse indikacioni është bërë nga cilido mjek, te pacientët me imunitet të suprimuar, 4 javë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Në bazë të përvojës sime, shumica e të testuarve nuk i plotësojnë kushtet më lartë dhe duhet të paguajnë testin vetë (49 CHF).

  • Nuk ka certifikata COVID-19 për teste serologjike.

Nëse keni antitrupa në gjak dhe nuk jeni të vaksinuar, antitrupat janë vërtetim indirekt  që e keni kaluar COVID-19. Mirëpo, me rregullat aktuale, nuk mund të merrni çertifikatën « i/e shëruar » në bazë të këtij rezultati.

Nga ana tjetër, me një rezultat të antitrupave në gjak, do të keni nevojë të merrni vetëm një dozë të vaksinës.