Finlanda vendos kushtin për heqjen e kufizimeve

0
324

Finlanda do të heqë kufizimet e fundit antiCOVID-19 në fuqi, kur 80 për qind e popullsisë së rritur të jetë plotësisht e vaksinuar, njoftoi qeveria, një kufi që duhet të arrihet deri në tetor.

“Qëllimi ynë është të rihapim shoqërinë dhe ta mbajmë të hapur”, u tha kreu i qeverisë, Sanna Marin, gazetarëve në Helsinki, pas një takimi të kabinetit për strategjinë e vendit kundër COVID-19.

“Rritja e mbulimit të imunizimit është çelësi për të arritur këtë”, shtoi ajo, duke sqaruar se masat kufizuese do të hiqen gradualisht pasi të përmirësohet gjendja shëndetësore.

Finlanda, vendi më pak i populluar në Bashkimin Evropian, ka përjetuar një nga nivelet më të ulëta të infektimeve në rajon që nga fillimi i pandemisë, edhe pse numri i rasteve është rritur ndjeshëm muajt e fundit, veçanërisht në mesin e grupeve të pavaksinuara të popullsisë.

Vendi nordik me 5.5 milion banorë numëron vetëm 53,2 për qind të popullsisë plotësisht të vaksinuar, sipas autoritetit shëndetësor publik THL./atsh