MAShTI shpallë thirrje publike për ndarjen e 90 bursave për nxënësit e regjistruar në klasën e 10 në IAAP

0
566

MASHTI SHPALLË THIRRJE PUBLIKE PËR NDARJEN E 90 BURSAVE PËR NXËNËSIT E REGJISTRUAR NË KLASËN E 10 NË IAAP

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka shpallë thirrje publike për ndarjen e nëntëdhjetë (90) bursave për nxënësit e regjistruar në klasën e 10-të në Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (Shkollave profesionale).

Bursat ofrohen në drejtimet deficitare dhe drejtimet teknike për vajza për vitin shkollor 2021-2022, bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 136/2020.
Ndarja e bursave për nxënës në IAAP bëhet nga MASHTI dhe Projekti LuxDev KSV/020 (Mbështetja për Reformën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë –Faza 2), financuar nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut.
Vlera e bursës është 50 euro në muaj, përkatësisht 500 euro për një vit shkollor. Nxënësit përfitojnë bursë për tri vite të shkollimit.
Të gjithë nxënësit të cilët përfundojnë shkollimin e mesëm të ulët, të cilët i plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në konkurs, kanë të drejtë të aplikojnë për bursë në një nga drejtimet deficitare në të gjitha IAAP-të në këto profile: Metalpunues, Instalues elektrik, Instalues ujësjellësi, Ngrohje e klimatizimi, Teknologjia e riciklimit, Zhvillues i aplikacioneve.
Po ashtu të gjitha vajzat, të cilat përfundojnë shkollimin e mesëm të ulët, të cilat i plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në konkurs, kanë të drejtë të aplikojnë për bursë në një nga drejtimet teknike në të gjitha IAAP-të, në këto profile: Teknik për dizajn të mediave interaktive, Instalues elektrik, Veterinë, Mekatronikë, Asistent i turizmit dhe udhëtimeve, Automekanikë, Kultivuesit hortikultural dhe të fidanishteve.
MASHTI fton të gjithë nxënësit e këtyre drejtimeve që të aplikojnë në këtë thirrje.
Konkursi do të jetë i hapur nga data 13.09.2021 deri më 22.10.2021.