Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut refuzon kërkesën e mjekëve grekë kundër vaksinimit të detyrueshëm

0
728

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka refuzuar kërkesat për mbrojtje të përkohshme gjyqësore, të paraqitur nga punonjësit grekë të  shëndetësisë kundër vaksinimit të detyrueshëm, sipas gazetës greke ”Kathimerini”.

Gjykata pranoi dy kërkesa nga 30 punonjës në sektorin e shëndetësisë, përfshirë 18 mjekë privatë dhe 12 punonjës në strukturat publike.

Duke cituar nenet 2 (e drejta për jetën), 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues), 4 (ndalimi i skllavërisë dhe punës së detyruar), 5 (e drejta për liri dhe siguri), 6 (e drejta për gjykim të drejtë), 8 (e drejtë për respektimin e jetës private dhe familjare) dhe 14 (mosdiskriminimi), punonjësit e shëndetësisë protestojnë kundër vaksinimit të detyrueshëm si kusht për të vazhduar kryerjen e detyrave të tyre.

Ata gjithashtu kërkuan pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të legjislacionit.

Të martën, megjithatë, Gjykata e Strasburgut hodhi poshtë kërkesat e tyre për mbrojtje të përkohshme gjyqësore.

Sipas një komunikate të GJEDNJ-së, gjykata siguron një mbrojtje të tillë vetëm në “rrethana të jashtëzakonshme”, kur kërkuesit kërcënohen me “dëmtime të pakthyeshme”.

Thelbi i padive kundër legjislacionit grek për vaksinimin e detyrueshëm do të gjykohet më vonë.

Vendimi i GJEDNJ-së në lidhje me vaksinimin e detyrueshëm vjen pas një vendimi përkatës të Këshillit grek të Shtetit./ATSH